A ishte përballja mes Kamala Harris dhe Donald Trump një debat apo një vetëmbrojtje?

11/09/2024 17:18

NGA EDA KOLA

Teksa Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndodhen në fortunën parazgjedhore, ku edhe 55 ditë i ndan nga zgjedhja e një lideri të ri, dy konkurrentët për president, Kamala Harris nga radhët Demokrate dhe Donald Trump nga ato Republikane, patën një përballje.

Një përballje që në fakt më shumë dukej si një vetëmbrojtje në gjykatë, ku të pandehurit ishin edhe avokatë të vetes së tyre, ndërsa trupa gjykuese e përbërë prej dy moderatorëve, i vinte dy të pandehurit herë pas here përballë pyetjeve që ju shmangej përgjigja.

Përballja mes dy pretendentëve dukej se nuk ishte në nivelin që Amerika në arenën ndërkombëtare ose edhe atë kombëtare ka. Gjatë një ore e gjysmë debat mes tyre, përveç argumentave vetëmbrojtëse, shpeshherë të pavërteta, nuk u vu re një plan i mirëfilltë për të ardhmen në rast të një fitoreje te mundshme, nga asnjëra palë.

Ajo çfarë pritej nga ky debat, përveç goditjeve të ndodhive të shkuara që janë të pashmangshme, ishte një plan politik se si do menaxhohej mandati i ardhshëm nga të dyja palët, që faktikisht u prek vetëm përciptazi në mënyrë subjektive dhe jo cilësore.

Më shumë sesa argumentat dhe ‘goditjet’ mes tyre, ajo çfarë fliste me zë më të lartë ishte gjuha e trupit të dy pretendentëve për president, që nisi me shtrëngim duarsh e përfundoi me nënqeshje neveritëse ndaj njëri-tjetrit.

Nisja e fjalës së Kamala Harris u shoqërua me emocione, fyt te thatë dhe gjuhë trupi të sikletosur, që më vonë le të themi se e menaxhoi më mirë dhe e mori situatën nën kontroll, përveç kur nuk pati një përgjigje të vyer për pyetjet e moderatorëve të ABC, si në rastin e pyetjes nëse demokratët ishin më mirë se katër vite më parë apo në rastet ku nuk përdori të dhënat e sakta për të ‘goditur’ Trump.

Ajo përdori deklarata të rreme në lidhje me shkallën e papunësisë kur Trump u largua nga detyra si dhe shpeshherë ishte e paqartë në lidhje me politikat e saj.

Nga ana tjetër Donald Trump në fillim të debatit në dukje ishte ‘sypatrembur’ dhe i gatshëm për t’i bërë ballë çdo ‘goditje’ nga pala kundërshtare apo pyetje nga moderatorët, gjuha e tij e trupit tregonte një siguri dhe kontroll, por koherenca e tij nuk zgjati deri në fund të debatit.

Në shumë argumente dukej sikur Trump ishte thjesht një peshk lakmitar i uritur para një krimbi, që Kamala Harris përdorte si karrem për ta nxjerrë atë jashtë nga konteksti.

Kjo u kuptua kur ai përmendi që kafshët po përdoreshin si ushqim nga emigrantët në Springfield si pasojë e politikave të demokratëve, që sipas tij kanë rrënuar ekonominë amerikane, gjë e cila deri më sot nuk është raportuar në asnjë shtet të Amerikës.

Gjatë fjalës së tij, Trump pikturoi një tablo të tmerrshme të Shteteve të Bashkuara, duke sjellë në fokus “kasaphanën amerikane” për të cilën kishte paralajmëruar kur u inaugurua në vitin 2017 dhe duke e përshkruar popullin amerikan si një “komb që po vdes”.

Kur debati kaloi tek “krimi”, Trump pohoi se krimi ishte ngritur në Shtetet e Bashkuara, duke mos lënë pa përmendur plumbin që mori në kokë gjatë tubimit të tij duke thënë se ndodhi për shkak të urrejtjes që demokratët kanë ngjallur për të.

E ndërsa Harris nuk kishte një përgjigje të mirëfilltë për këtë përveç se një nënqeshje ironike duke i thënë se ishte ai që lejoi armatosjen e amerikanëve dhe se asnjëri nga ata të dy nuk do të mund ti hiqte armët 100% nga çdo person që banon në Amerikë.

Emigracioni, kujdesi shëndetësor, aborti, lufta në Ukrainë, shteti i së drejtës ishin temat kryesore që u prekën gjatë përballjes, që faktikisht u sollën në diskutim përmes pyetjeve të moderatorëve, sepse të ishte për dy pretendentët, do vazhdonin përballjen e tyre me përmendjen e rasteve të dështimit të palës kundërshtare gjatë mandatit të tyre në presidencë.

Kjo ishte në fakt gjëja që amerikanët kishin më pak nevojë të dëgjonin, pasi janë analistë mjaft të mirë të së shkuarës, ajo çfarë kishte nevojë populli amerikan por jo vetëm, ishte të dëgjonin politikat që do të ndiqte presidenti/ja i ardhshëm dhe të arsyetonin logjikshëm se kujt i përket vota e tyre.

Teksa e gjithë bota “në rrezik” ka sytë nga Amerika, dy garuesit mbajnë sytë nga karrigia e pushtetit, e ndërsa populli do të vazhdojë të mbetet gjithmonë nën të!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA