Rindërtohen kopshtet, Veliaj inspektoi punimet e kryera nga Bashkia e Tiranës

10/09/2024 16:12

Në njësinë nr.1 në kryeqytet, kopshti “Ylberi” i rindërtuar nga e para, është gati për të mirëpritur vogëlushët.

Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet e kryera në godine, tashmë me hapësira më të mëdha çka mbulon dhe kërkesat në rritje të prindërve për t’i regjistruar fëmijët në kopshte dhe çerdhe publike.

“Kjo ishte një ndërtesë e vogël, sa një kuzhinë, ndaj morëm vendimin e drejtë për ta ribërë nga e para, për të zgjidhur problemet e tokës, për t’u zgjeruar më shumë, për të maksimizuar hapësirën, që ne përdorim për 180 vogëlushë”, tha Veliaj.

Veliaj bëri një krahasim me gjendjen në të cilën ndodheshin objektet arsimore në Tiranë para 2015-ës.

 “Ne gjetëm 3 mijë fëmijë që merrnin shërbime në kushte skandaloze. Është po e njëjta Tiranë dhe sot kemi 17 mijë fëmijë, më shumë se 5-fishi”, tha më tej kryebashkiaku.

Ndonëse kërkesat për ti çuar fëmijët në kopshte dhe çerdhe publike janë rritur me ritme të shpejta, janë disa kategori të cilat kanë përparësi.

“Fillimisht u jep prioritet atyre që janë me ndihmë ekonomike. Prioriteti i dytë i jepet familjeve me një prind. Kriteri i tretë është rroga. Kush i ka rrogat e larta, i ka mundësitë edhe për në privat, pavarësisht se sot publiku është bërë shumë herë më mirë se privati.”

Kryebashkiaku shpalosi dhe një tjetër nisëm të bashkisë, atë për ndërtimin e qëndrës më të madhe të kurimit, të ndihmës edhe të asistencës për fëmijët e spektrit autik. Misioni kryesor i kësaj nisme është përmirësimi i cilësisë së jetës të fëmijëve me nevoja të veçanta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA