Në fund të muajit gusht, i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor vizitoi Prishtinën, në kuadër të përgatitjeve për Procesin e Berlinit.
Duke theksuar se nuk kishte shumë sukses, brenda pak ditësh ai zhvilloi një vizitë të dytë, ku tha se nëse Qeveria e Kosovës nuk zhbllokon futjen e mallrave serbe dhe zbatimin e marrëveshjes për tregun e lirë, mund të vazhdohet puna në këtë drejtim edhe pa Kosovën.
Sipas njohësve ky paralajmërim është shprehje e pakënaqësisë së bashkësisë ndërkombëtare që kanë me ekzekutivin.
“Paralajmërimi i emisarit gjerman për përjashtimin e Kosovës nga Procesi i Berlinit është një sinjal i fuqishëm politik që mund të ketë pasoja serioze për integrimin dhe bashkëpunimin rajonal. Ky lloj paralajmërimi vë në pah një lloj pakënaqësie të Bashkimit Evropian, veçanërisht, Gjermanisë”, tha Dritëro Arifi, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Tutje, ky paralajmërim, shihet edhe si presion që Kosova të jetë më fleksibile edhe në procesin e dialogut me Serbinë, duke u munduar që të shtyhet përpara edhe bashkëpunimi ekonomik, përkundër ngecjeve politike.
Por, nga Kosova kërkohet të tregohet më konstruktive në dialog me partnerët.
“Duhet të kemi një dialog më të hapur dhe më transparent me partnerët dhe duhet të tregohemi më pro aktiv në dialog. Edhe nëse nuk mund ta zgjidhim dialogun me fqinjin verior duhet ta ndërtojmë një urë komunikimi me partnerët evropian. Sepse e ardhmja e Kosovës varet nga bashkëpunimi me vendet e Bashkimit Evropian”, tha Arifi.
Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca gjatë së hënës ka thënë se nuk pret që Kosova të përjashtohet nga Procesi i Berlinit, por ka shtuar se “vendi diskriminohet dhe ftohet të marrë pjesë në bazë të pabarabarta me Serbinë, Kosova nuk e pranon.
Samiti i radhës i Procesit të Berlinit do të mbahet më 14 tetor në Berlin të Gjermanisë.
Top Channel