Bukuritë shqiptare, ujërat e kristalta të bregdetit dhe boom-i turistik që ka pasur vendi ynë kanë rrëmbyer vëmendjen e mediave botërore.
Gazetari i njohur i mediave britanike si BBC dhe Independent, Simon Calder, i cili së fundi është bërë “tifoz” i bregdetit shqiptar, vijon ta këshillojë Shqipërinë edhe si destinacion për vjeshtën.
Duke e cilësuar Shqipërinë si yllin e këtij viti, në një intervistë në televizionin britanik iTV, nga plazhi i Durrësit, Simon Calder renditi me detaje avantazhet e pushimeve në Shqipëri.
“Dielli ka dalë, është absolutisht i mrekullueshëm, Durrësi është një nga qytetet më historike dhe më të bukura në Shqipëri”, tha Calder.
Gazetari i njohur flet për çmimet e leverdisshme të fluturimeve nga Britania në Shqipëri dhe hotelet që variojnë nga 20 deri në 40 paund.
“Këtë nëntor ka fluturime vajtje-ardhje nga Londra në Shqipëri për 28 paund për person. Fluturimet për në Shqipëri nisen çdo ditë nga aeroportet kryesore në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe me parajsën vetëm tre orë larg, perse të mos e vendosni Shqipërinë në listën tuaj?”, thuhet në reportazhin e televizionit britanik.
Për të vërtetuar perceptimin e tij se njerëzit në Shqipëri janë nga më miqësorët dhe më mikpritësit që mund të gjesh, gazetari Simon Calder tregoi se çfarë i ndodhi kur kishte humbur autobusin në Shqipëri.
“Sapo u bë e qartë se kisha humbur autobusin, e gjeta veten të rrethuar nga vendasit që më ndihmonin të merrja një taksi – dhe duke më thënë saktësisht se sa duhet të paguaja për të shmangur mashtrimet”, tregon ai.
Temperaturat e vjeshtës në Shqipëri janë të favorshme edhe për plazh. Ndër plazhet më të njohura media britanike rëndit Durrësin, Golemin, Gjirin e Lalzit, Shëngjinin, Velipojën, Divjakën dhe Spillenë.
Për të vizituar muze e galeri arti sugjerohet Tirana, berati e Gjirokastra, ndërsa alpinistët dhe adhuruesit e natyrës këshillohen të ndalojnë në Theth.
“Nëse si Simon Calder, doni të qëndroni në Durrës, atëherë nuk do t’ju mungojnë mundësitë për tu argëtuar.”
Top Channel