Lideri i opozitës ikën nga Venezuela! Gonzalez kërkon azil në Spanjë, Maduro “izolon” 6 rivalë në ambasadën argjentinase

08/09/2024 09:10

Qeveria e Venezuelës njoftoi se lideri i opozitës Edmundo Gonzalez ka ikur nga vendi dhe ka kërkuar azil në Spanjë.

Gonzalez ishte rival i Nicolas Maduros në zgjedhjet presidenciale, por po fshihej pasi ishte lëshuar urdhër arrest për të pasi opozita kundërshtoi rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në korrik.

U organizuan disa protesta masive kur Komisioni Zgjedhor, që kontrollohet nga qeveria, e shpalli Nicolas Maduron fitues.

Zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delsi Rodriguez, në një postim në rrjete sociale tha se Gonzalez kishte shkuar në Ambasadën e Spanjës disa ditë më parë dhe kishte kërkuar nga Qeveria e Spanjës azil politik. Ajo ka shtuar se Venezuela ka pranuar t’i ofrojë atij largim të sigurt dhe ai është larguar.

Ndërkaq, forcat e sigurisë së Venezuelës kanë rrethuar Ambasadën e Argjentinës në Karakas.

Gjashtë kundërshtarë politikë të Maduros janë duke u strehuar atje. Ministria e Jashtme e Venezuelës pretendon se “po komplotohet për vepra terroriste brenda”.

Venezuela është zhytur në një krizë politike që kur autoritetet e shpallën Maduron fitues të zgjedhjeve të 28 korrikut.

Një numër i madh shtetesh, përfshirë SHBA, Bashkimin Evropian dhe shtete të Amerikës Latine, kanë refuzuar ta njohin Maduron si fitues të zgjedhjeve presidenciale.

Qeveria e Maduros ka arrestuar deri tani mbi 2400 persona që nga zgjedhjet, duke krijuar “një klimë frike” sipas Kombeve të bashkuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA