“Një burrë me mjekër të gjatë me fustan ylberi”, kritika për tekstin “Gjuha shqipe 3”, reagon shtëpia botuese: Është keqinterpretuar me tendencë

07/09/2024 14:45

Kopertina e librit “Gjuha shqipe 3” ka sjellë mjaft reagime në rrjet, duke sjellë edhe një reagim zyrtar të shtëpisë botuese.

Kjo pasi aty shfaqet një personazh me mjekër të gjatë, i veshur me një fustan me ngjyrat e ylberit, për të cilën shumë e kanë krahasuar me flamurin e LGBT.

Ndër personazhet e njohur e njohur që shprehu revoltën ishte edhe deputeti Tritan Shehu. Në një postim në rrjete sociale shkruan se kjo kopertinë është një “insult cinik mbi fëmijët, zhvillimin, të ardhmen dhe vizionin e tyre për jetën dhe familjen”.

“Një kopertinë ndesh dhe me principet edukative të fëmijëve, që kërkon të influencojë keq në rrugën e jetës, duke e deformuar atë e krijuar konfuzion. Një fëmijë duket aty e mbi atë një “burrë” me mjekër i veshur me fustan ngjyrash “ylberi”, duke kërcyer zbathur si grua! Këtu nuk kemi të bëjmë me rastësi, por me një strategji të regjimit, të rrezikshme Gender për orientimin seksual që në moshën e re fëminore. Me pasoja thellësisht negative në të gjithë rritjen e fëmijës, komportamentin seksual të tij edhe mbas pubertetit”, shkruan më tej Shehu.

Ne deklaratë shtëpia botuese “Albas”, tha se kjo kopertinë është keqinterpretuar dhe se Ylberi është simbol fëminor dhe simboli i një dukurie të natyrës, ndërsa për magjistarin thonë se “njihet për pelerinën e tij me ngjyra”.

“Interpretimet tendencioze dhe diskriminuese, sa më shumë përhapen në rrjete sociale dhe në medie, aq më shumë thellojnë krizën që po kalojmë si shoqëri duke dëmtuar shëndetin mendor të fëmijëve”, thuhet në reagim.

Disa nga komentet që kanë qarkulluar në rrjet shkruajnë: “Çfarë përfaqëson personazhi me mjekët dhe me fustan me ngjyrat e ylberit? Kanë mbaruar vallë imazhet e Shqipërisë në koopertina?; Vjen babagjyshi me fusanellë ylberike dhe e transformon fëmijën me shkopin e tij magjik…”

Një reagim ka pasur edhe aktivistja e njohur Xheni Karaj, e cila e quan “komike dhe shqetësuese faktin që një ylber dhe një zanë e frymëzuar nga magjistari Merlin shkakton një reagim kaq të tepruar kolektiv.

Reagimi i plotë i shtëpisë botuese Albas

Duke u nisur nga zhurma në rrjetet sociale dhe në disa portale e medie, e ndiejmë për detyrë të sqarojmë çdo keqinterpretim në lidhje me kopertinën e tekstit “Gjuha shqipe 3″.  Është kthyer tashmë në traditë që çdo vërejtje apo sugjerim nga mësuesit e prindërit, Ministria e Arsimit ua dërgon shtëpive botuese, dhe çdo vit tekstet ribotohen të përmirësuara. Është viti i tetë që teksti “Gjuha shqipe 3” përdoret në shkollë dhe asnjë prind, mësues apo fëmijë nuk është shqetësuar nga kopertina e tij.

Ylberi është simbol fëminor dhe që në parashkollor fëmijët mësojnë ndarjen e ngjyrave, por dhe simboli i një dukurie aq të mrekullueshme të natyrës. Gjithashtu, përdoret edhe si simbol i ngjyrave të ndryshme të lëkurës, me anë të të cilit u shpjegohet fëmijëve se jemi të gjithë të veçantë dhe diskriminimi racor është shumë i gabuar. (Ka pjesë leximi për këtë temë).

Sa për figurën e magjistarit në kopertinë (dhe magjistarët njihen për pelerinat e tyre ngjyra-ngjyra), kjo ka lidhje me një poezi, ku fëmija u lutet të gjithë magjistarëve të botës t’i falin një shkop magjik, me të cilin ai do të zhdukë lotët e vogëlushit të varfër, që ta gëzojë atë e t’ia mbushë jetën me ngjyra.

Interpretimet tendencioze dhe diskriminuese, sa më shumë përhapen në rrjete sociale dhe në medie, aq më shumë thellojnë krizën që po kalojmë si shoqëri duke dëmtuar shëndetin mendor të fëmijëve.

P.S Argumentet tona janë lehtësisht të verifikueshme me gjithë përmbajtjen e librit.

Për çdo pyetje ose sqarim të mëtejshëm, jemi të gatshëm të bisedojmë dhe të ofrojmë më shumë informacion.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA