14 vjeçe, bëhet nënë/ Rasti në Korçë që nxjerr në pah fenomenin e martesave të hershme

07/09/2024 19:04

Një 14-vjeçare solli në jetë një vajzë në maternitetin e Korçës një ditë më parë por pak orë më vonë policia ndaloi bashkëjetuesin e saj 21 vjeçar për veprën penale të “Marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me të mitur”. 

Pasi pranoi atësinë e fëmijës, 21-vjeçari me inicialet D.K përfundoi në pranga ndërsa e mitura kërkon lirimin e tij duke sqaruar se ajo është e martuar prej më shumë se një viti me të riun dhe se nuk bëhet fjalë për abuzim.

“Kam një vit që njihem me bashkëshortin. Jemi njohur ne Elbasan. U thashë edhe prindërve të mi. Ata ranë dakord dhe kam një vit me të. Unë kam një fëmijë me të, përse ta arrestojnë. Ai s’më ka marrë me zor. Dua që të lirohet burri im, kush do më ushqejë mua po fëmijën tim?! Dua të ma lironi që sot. Unë s’kam si të jetoj, unë vetëm atë kam, një krah pune kisha. Punonte ai, që më sillte për të ngrënë më shtëpi. Punonte dy punë, edhe ditën, edhe natën për të më sjellë bukë në shtëpi. Dua të ma lirojnë. Më kanë ardhur mami me babin nga Miloti, unë s’kam dhënë asnjë deklaratë në polici, por që dje jam njoftuar për burrin që e kam në polici”, shprehet vajza.

Prindërit e së miturës që prej një viti e gjysmë ka ardhur për të jetuar nga Miloti në Korçë me 21-vjeçarin tregojnë se vajza e tyre është martuar me dëshirë dhe se ka marrë dhe miratimin e tyre. Për çiftin Jenuzi martesat e hershme janë diçka normale për komunitetin Rom e po ashtu sjellja në jetë e fëmijëve nga vajzat e mitura. Ata kërkojnë lirimin e dhëndrit të tyre në mënyrë që familja e re të vazhdojë jetën e qetë.

“E ka dashuruar vajza edhe ne kemi rënë dakord. Dua që dhëndri të dalë sa më shpejt. Ne kështu jemi martuar, të vogla. Edhe unë jam martuar 12 vjeç. Për ne nuk është problem mosha, ne në racën tonë martohemi të vogla. Vajzën tonë e kemi martuar me dëshirë. Ne jemi nga Elbasani dhe e kemi martuar vajzën në Korçë me dëshirë. Dua të dalë dhëndri sa më shpejt. Ai punon dhe mban nusen. Kur ka lindur është njoftuar policia për rastin. Në spital e ka shoqëruar vajzën bashkëshorti”, shprehet nëna e vajzës.

“Vajza është martuar me dëshirë, ne i kemi dhënë leje që e martova në Korçë se unë jam nga Elbasani. Dhëndri nuk e mori me zor. Pasi ka lindur goca, patëm probleme se më kanë marrë dhëndrin në polici. Vajza ka gati një vit e gjysmë martuar. Dua që dhëndri të lirohet një orë e më parë se ne jemi romë dhe raca rome martohen të vegjël. Ja ku i kam unë kam 6 fëmijë. Unë vajzën time e martova, por shteti që hyn në këtë punë është pa arsye. Unë i them shtetit që të më lirojë dhëndrin. Erdha nga Miloti me familjen, këtu e kam dhe gocën dhe i them shtetit të më lirojë dhëndrin”, thotë babai.

Martesat e hershme janë një prej fenomeneve shqetësuese në vendin tonë, traditë kryesisht e komunitetit Rom dhe Egjiptian apo e familjeve të zonave të thella rurale. Në pjesën më të madhe të rasteve këto martesa nuk janë të regjistruara ligjërisht ndërsa në shumicën e rasteve të mitura janë vajzat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA