Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky u takua sot në Gjermani me udhëheqësit më të lartë ushtarakë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësues të tjerë të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, ku kërkoi më shumë mbështetje ushtarake nga aleatët perëndimorë.
Presidenti Zelensky tha se do të vazhdojë të bëjë trysni rreth armëve me rreze të gjatë veprimi, duke theksuar se duhen vendime të forta afatgjata nga partnerët për ta sjellë më afër paqen e drejtë që kërkojnë ukrainasit.
Gjatw takimit, sekretari amerikan i Mbrojtjes deklaroi se ky është një moment kritik i luftës, ndërsa Ukraina kryen operacione sulmuese brenda Rusisë por njëkohësisht përballet me një kërcënim të madh në Lindje.
Duke njoftuar një ndihmë të re prej 250 milionë dollarësh për Kievin, sekretari amerikan i Mbrojtjes tha se kjo mbështetje do të ofrojë “më shumë armë për t’i plotësuar nevojat e vazhdueshme të Ukrainës”.
Prej vitit 2022 kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, vendet anëtare të Grupit të Kontaktit e kanë ndihmuar Kievin me rreth 106 miliardë dollarë mbështetje ushtarake.
Top Channel