Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji tha se SPAK duhet të bëjë një hetim të shpejtë për skandalin e sistemit TIMS, për shkak se aty morën të drejtën e aksesit edhe persona jashtë policisë së shtetit.
“Persona pa asnjë lidhje me policinë, kanë pasur akses në sistemin TIMS. Mbetet e paqartë për shkak se PS nuk pranoi, se si persona privatë që nuk ushtrojnë një detyrë shtetërore, futen në TIMS. është emergjente të bëhet një hetim i shpejtë nga SPAK që të mos kemi problematika të mëtejshme.
Mundet që edhe puna e SPAK të dëmtohet nga ky sistem për shkak se çdo person që shpallet në kërkim, mund të largohet nga vendi. Aksesi i lirë nga këta persona përbën rrezik për sigurinë e vendit, por edhe rrezik për partnerët dhe shtetet e huaja, sepse mund të përdoren nga vende jo miqësore”, tha Salianji.
Sipas tij “Ministri, ish-ministri, apo drejtues të lartë të policisë së shtetit ishin në dijeni, por nuk morën masa që situata të tilla të mos përsëriten. Punonjës të policisë që kanë për detyrë të ruajnë TIMS, e kanë përdorur të drejtën e aksesit duke ia vënë atë në dispozicion elementëve të krimit”.
Top Channel