Një amerikane 26-vjeçare është qëlluar për vdekje në Bregun Perëndimor gjatë një proteste.
Aysenur Ezgi Eygi, e cila është me origjinë turke, raportohet se ka marrë pjesë në një protestë kundër zgjerimit të vendbanimeve hebreje në qytetin Beita pranë Nablus.
26-vjeçarja dyshohet se u qëllua nga trupat izraelite, sipas mediave lokale. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thonë se janë në dijeni të incidentit.
Aktivistja amerikane u dërgua me urgjencë në spital, e plagosur me armë zjarri në kokë dhe më vonë u shpall e vdekur, sipas AFP.
26-vjeçarja ishte përfshirë në një fushatë për të mbrojtur fermerët nga dhuna e kolonëve izraelitë.
Kjo vjen pasi forcat izraelite u tërhoqën nga qyteti Jenin dhe kampi i tij i refugjatëve në Bregun Perëndimor të pushtuar, pas një operacioni madhor nëntë-ditor atje.
Gjatë operacionit, të paktën 36 palestinezë u vranë – 21 nga provinca e Jeninit – thotë ministria palestineze e shëndetësisë. Ministria thotë se mes të vrarëve ka edhe fëmijë.
Në 50 vitet e fundit, Izraeli ka ndërtuar vendbanime në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, ku tani jetojnë më shumë se 700,000 hebrenj.
Vendbanimet konsiderohen si të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar – ky është qëndrimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, ndër të tjera – megjithëse Izraeli e kundërshton këtë.
Top Channel