Hungaria thotë se ‘do të dërgojë emigrantët me autobus’ drejt Brukselit (fotot)

06/09/2024 21:45
Rétvári Bence, sekretari i shtetit të Hungarisë

Hungaria ka përsëritur sot idenë e saj për të dërguar emigrantët me autobus drejt Brukselit në protestë ndaj rregullave të BE për pranimin e azilkërkuesve.

Rétvári Bence, sekretari i shtetit të Hungarisë  ishte sot në një konferencë shtypi me autobusë të vërtetë përkrah, duke konfirmuar planet e vendit të tij për të dhënë udhëtimin falas për emigrantët drejt kryeqytetit të BE.

Retorika është episodi më i fundit i mosmarrëveshjeve mes Hungarisë e BE për azilkërkuesit, pasi vendi raportohet se humbi fondet €200 milionë prej shkeljes së rregullave të BE për pranimin e refugjatëve.

Hungaria ka refuzuar shpesh udhëzimet e BE për pranimin e refugjatëve dhe azil-kërkuesve teksa zyrtarë të ndryshëm kanë vënë në lojë planet evropiane për çështjen.

Pak pas konferencës së Bence, kryeministri hungarez Viktor Orbán, postonte në rrjetin X:

“Kjo verë ka provuar se emigracioni po copëton Bashkimin Evropian. Lëreni Hungarinë e të tjerët të kenë mundësinë të shprehen për politikat e përbashkëta të emigracionit!”

Hungaria nisi planin e saj për të dërguar me autobusë emigrantët drejt Brukselit në gusht, kur unioni i vendosi ‘gjobë €200 milionë’ për shkelje të rregullave.

Sekretari Bence, thotë se po afron koha për të zbatuar planin me të vërtetë, ndërsa shtonte se lufta e Hungarisë ndaj emigrantëve është për sigurinë e saj kombëtare. “Ne duam kufij të mbrojtur, duam të mbrojmë sigurinë e Hungarisë.”

Ekspertët thonë se objektiva politike qëndrojnë pas retorikës dhe skemave të propozuara. Në të dyja njoftimet e idesë nga Bence, duket se ai kërkon të bëjë me faj Brukselin për politikat e emigracionit, siç mund të kuptohet nga deklaratat: “Nëse Brukseli kërkon më shumë emigrantë , ata mund t’i marrin”.

Kjo sipas ekspertëve kërkon të tregojë se Brukseli ‘nuk është në kontakt me realitetin e vendeve evropiane’, shkruan rrjeti Juristnews.com

BE nuk ka reaguar ende ndaj ‘strategjisë së autobusëve’ të Hungarisë.

FOTO GALERI
1/3
Pak pas konferencës së Bence, kryeministri hungarez Viktor Orbán, postonte në rrjetin X: “Kjo verë ka provuar se emigracioni po copëton Bashkimin Evropian".

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA