Inspektim në Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut, Balluku: Do të nisim me 200 kilometrat e para

05/09/2024 14:10

Në Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut po kryhen punimet e fundit për instalimin e sistemeve kompjuterike, përmes së cilave do të kryhet monitorimi 24 orë në 7 ditë të javës i disa prej akseve rrugore kryesore të vendit.

Zëvendëskryeministrja, po ashtu edhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi se do të nisë monitorimi i 200 kilometrave të para ku përfshihet aksi rrugor Tiranë-Elbasan, i gjithë aksi nga Tirana deri në Vlorë, si dhe segmenti Vorë – aeroporti i “Nënë Tereza”, për të vijuar më tej edhe me segmentet e tjera rrugore.

Kjo Qendër do të ketë pjesë të saj punonjës nga ARRSH, DPSHTRR, Policia e Shtetit, Ministria e Mbrojtjes, AKSHI dhe Urgjenca Kombëtare, të cilët do të përpunojnë të dhënat që do të vijnë përmes kamerave.

“Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut, një nukël e re e cila do të përfshijë brenda saj 4 nga ministritë kryesore me agjencitë përkatëse që ndikojnë në trafikun rrugor shqiptar, por edhe në disa komponentë të tjerë që sigurisht kanë të bëjnë me sigurinë rrugore. Bëhet fjalë për një Qendër model, një Qendër moderne e cila do të kontrollojë trafikun në akset kombëtare. E kemi nisur me 200 kilometrat e parë dhe bëhet fjalë për akset më të rëndësishme”, u shpreh Balluku.

Të dhënat që kjo Qendër do të administrojë, do të shërbejnë edhe si një udhërrëfyes për projektet e ardhshme në infrastrukturën rrugore.

I gjithë procesi që do të ndodhë këtu do të shërbejë edhe si një udhërrëfyes i bazuar në raporte, në data dhe në fakte, për të përmirësuar cilësinë e sistemit tonë rrugor dhe nga ana tjetër për të përmirësuar edhe të gjithë punën e njësive operacionale, qofshin këto të Policisë Rrugore apo të drejtorive rajonale të ARRSH-së. Kështu që këtu kemi disa komponentë të rëndësishëm që do të na ndihmojnë në punën tonë për të rritur sigurinë rrugore, por nga ana tjetër për të bërë investime në mënyrën e duhur dhe për të eliminuar të gjithë ato problematika që sot mund të ketë sistemi rrugor”, vijoi më tej Balluku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA