Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë në Korçë ka mbyllur edicionin e tij të 11-të.
Trupa teatrore nga Vlora, Durrësi, Shkodra, Korça dhe Kosova e Greqia janë ngjitur në skenën e teatrit Andon Zako Çajupi për 8 mbrëmje radhazi duke përcjellë emocione dhe humor për publikun. Nata finale ka kulmuar me shfaqjen “Karnavalet e Korçës”, me regji të Erion Isait, e cila u vlerësua me çmimin “Shfaqja më e mirë e këtij festivali”.
Figurat aq të dashura të Nikollaqit, Olimbisë dhe Afrovitit si dhe personazhet e tjerë, u ngjitën në skenë nga një kast aktorësh të përzgjedhur me kujdes, që me interpretimin e tyre bënë për vete publikun. Për regjisorin Erion Isai, puna për rikthimin e kësaj shfaqje ishte një përgjegjësi e madhe po aq sa kënaqësi
Surpriza ishte aktori aq i dashur korçar Arben Dervishi, i cili u rikthye në skenë pas 12 vitesh shkëputje. Në rolin e tregtarit Nikollaq Jorganxhi krah Zamira Kitës në rolin e Olimbisë, dhe aktores së re Paola Kodra në rolin e Afrovitit artistët tregojnë se emocionet për ta kanë qenë të shumta.
Juria e përbërë nga personalitete të teatrit dhe kinematografisë shqiptare vlerësuan si shfaqjen më të mirë Karnavalet e Korçës ndërsa çmimin për regjinë më të mirë e mori Fatos Berisha me shfaqjen Club Albania. Çmimi i karrierës shkoi për Leka Bungo ndërsa çmimet për artistët e rinj më të mirë u morën nga Urim Aliaj dhe Ilda Pepi, Aktorët joprotagonistë më të mirë, Ard Islami dhe Paola Kodra. Sakaq, trofeun si aktorët protagonistë më të mirë të këtij KokoFesti e morën aktorët Firmond Morina dhe Zamira Kita.
Top Channel