Zyrtarët e lartë të sigurisë së zgjedhjeve po u bëjnë thirrje votuesve amerikanë që të mos i japin shumë rëndësi pretendimeve të pabaza se zgjedhjet e ardhshme presidenciale do të manipulohen.
Në buletinin e parë mbi sigurinë e zgjedhjeve të nëntorit, ata thanë se votuesit amerikanë duhet të kenë besim se votat e tyre do të numërohen me saktësi.
“Gjatë muajve të ardhshëm, ju do të dëgjoni shumë gjëra të ndryshme nga burime të ndryshme. Gjëja më e rëndësishme është që në mes të kësaj zhurme të bëni dallimin mes fakteve dhe pretendimeve të rreme”, tha Jen Easterly, drejtore e Agjencisë Amerikane të Sigurisë Kibernetike, e cila është përgjegjëse për sigurinë e zgjedhjeve.
“Procesi ynë zgjedhor, infrastruktura zgjedhore nuk ka qenë kurrë më e sigurt dhe komuniteti i palëve të interesuara në zgjedhje nuk ka qenë kurrë më i fortë”, tha zonja Easterly, në një konferencë për shtypin të martën. “Kjo është arsyeja pse unë kam besim në integritetin e zgjedhjeve tona dhe pse edhe populli amerikan duhet të ketë të besim në këtë.”
Përpjekja e zyrtares Easterly për të siguruar votuesit vjen pak më shumë se një muaj pasi agjencitë amerikane të zbulimit lëshuan një paralajmërim se armiqtë e Shteteve të Bashkuara, të udhëhequr nga Rusia, Irani dhe Kina, po përpiqen të ndërhyjnë në zgjedhjet e nëntorit.
Por këto përpjekje të theksuara në paralajmërimin e agjencive amerikane të zbulimit synojnë të krijojnë dyshime mbi procesin zgjedhor në Shtetet e Bashkuara dhe të ndihmojnë apo dëmtojnë kandidatë të caktuar në zgjedhje.
Deri më tani nuk ka patur përpjekje nga kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara për të sulmuar apo për të ndërhyrë në sistemet e përdorura në procesin e zgjedhjeve dhe numërimin e votave.
“Ne nuk kemi parë ndonjë përpjekje me qëllim për të ndërhyrë në procesin zgjedhor”, u tha gazetarëve Cait Conley, zyrtare e lartë e Agjencisë Amerikane të Sigurisë Kibernetike.
“Kjo është diçka që mund të ndryshojë në çdo moment”, tha zonja Conley.
Agjencia Amerikane e Sigurisë Kibernetike tha se përpjekjet e tjera për të mbrojtur infraskrukturën e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale përfshijnë një sërë provash sigurie të infrastrukturës zgjedhore, testime të saktësisë së makinave të votimit dhe masa të zgjeruara sigurie për të mbrojtur rrjetet kompjuterike të lidhura me infrastrukturën e zgjedhjeve.
Ata gjithashtu theksojnë se asnjë nga sistemet që regjistrojnë votat nuk është i lidhur me internetin dhe se 97% e votuesve amerikanë do të votojnë në zona, që janë të pajisura me fletë votime rezerve, për të shmangur vonesat nëse ka probleme me votimin elektronikë.
Megjithatë, asnjë nga këto masa nuk do t’i frenojë vendet si Rusia, Irani dhe Kina nga përpjekjet për të bindur votuesit amerikanë për probleme në sistemin e votimit.
Zonja Easterly tha se një nga shqetësimet më të mëdha është se armiqtë e Shteteve të Bashkuara do të përpiqen t’i paraqesin problemet e vogla si skandale të mëdha.
“Është pothuajse e pashmangshme që diku në të gjithë vendin dikush të harrojë të sjellë çelësat për hapjen e një vendvotimi”, tha ajo. “Dikush do të nxjerrë nga priza një printer apo një stuhi mund të shkaktojë ndërprerjen e energjisë elektrike në një vendvotim.”
Kriminelët kibernetikë madje mund të gjejnë një mënyrë për të çaktivizuar përkohësisht ato që zyrtarët i përshkruajnë si sisteme të lidhura me zgjedhjet, duke përfshirë faqet e internetit të agjencive shtetërore dhe lokale, që merren me regjistrimin dhe numërimin e votave.
“Ne mund të presim që kundërshtarët tanë do të mbeten një kërcënim i vazhdueshëm dhe të tentojnë të minojnë besimin në demokracinë dhe institucionet tona dhe të mbjellin përçarje partiake”, tha ajo. “Është në dorën tonë që të mos lejojmë që kundërshtarët tanë të jenë të suksesshëm”.
Zyrtaret Easterly dhe Conley thanë se mënyra më e mirë për të shmangur panikun e panevojshëm është që votuesit amerikanë të mbështeten te zyrtarët shtetërorë dhe lokalë të zgjedhjeve për informacion.
Por nëse amerikanët mbështeten në llogaritë e mediave sociale, që nxjerrin informacione të pasakta, kjo mund të shkaktojë telashe.
“Është një problem i vështirë për kompanitë e mediave sociale”, tha një zyrtar i lartë amerikan i zbulimit, duke folur me gazetarët në kushte anonimiteti.
“Republika Popullore e Kinës përdor padyshim mediat sociale për të provuar të paktën të shkaktojë përçarje në Shtetet e Bashkuara”, tha zyrtari. “Pra, mendoj se kjo platformë do të përdoret.”
Dhe ka prova në rritje se Kina mund të shtojë përpjekjet e saj për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane.
“Graphika”, një firmë analitike e mediave sociale, publikoi një raport të martën, duke paralajmëruar se një operacion dezinformues i lidhur me Kinën i njohur me emrin “Spamoflage” është bërë gjithnjë e më agresiv. Firma “Graphika” tha se ka identifikuar më shumë se dhjetra llogari në platforma të mediave sociale, duke përfshirë rrjetet X dhe TikTok, “që pretendojnë se janë qytetarë amerikanë dhe mbështetës të paqes, të të drejtave të njeriut dhe të integritetit të informacionit të përqëndruar në Shtetet e Bashkuara, të zemëruar nga politika amerikane dhe ajo e Perëndimit.”
“Këto llogari kanë përhapur përmbajtje që denigrojnë kandidatët demokratë dhe republikanë, duke nxitur dyshime mbi legjitimitetin e procesit zgjedhor të Shteteve të Bashkuara dhe duke përhapur histori përçarëse për çështje të debatueshme sociale”, thuhet në raportin e firmës “Graphika”. Megjithatë, raporti thotë se vetëm disa prej tyre kanë arritur të tërheqin shumë njerëz.
Përfundimet e raportit të firmës “Graphika” duket se janë në përputhje me vlerësimet e mëparshme të kompanisë “Meta”, pronare e platformave Facebook dhe Instagram, e cila për herë të parë identifikoi këto përpjekje të huaja për ndërhyrje në zgjedhje vitin e kaluar./VOA
Top Channel