“Keni bllokuar video ku shahet qeveria?”/ AMA raporton për TikTok: Nuk kemi asnjë instrument për të hequr materiale vetë

04/09/2024 15:57

Përpjekja e Autoritetit të Mediave Audiovizive për ta kthyer platformën TikTok në një hapësirë më të sigurtë online u përkrah nga deputetët në Komisionin e medias në Kuvend.

Por kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi u përball edhe me pyetjet e anëtarëve të opozitës se mos ky bashkëpunim do të përdorej për censurë të përmbajtjes politike, që morën si përgjigje gatishmërinë për transparencë të raportimeve duke zbatuar ligjin.

“Në institucionin tonë të gjitha ankesat e ardhura, deri tani 195, janë të administruara. Videot e ekspozimit të fëmijës ndaj pornografisë, narkotikës, dhunës, të gjitha videot e hequra janë të administruara në institucion. Kushdo është i mirëpritur, të vijë të shikojë rast pas rasti me nenet përkatëse pse videot janë hequr nga platforma”, tha Krasniqi.

AMA ka përgatitur një draftrregullore për funksionimin e bashkëpunimit, që qartëson se cilat video nuk janë përgjegjësi e shqyrtimit nga institucioni.

Ina Zhupa: Asnjëri nga ne apo publiku nuk i di kufijtë dhe mënyrën si funksionon ky lloj bashkëpunimi midis AMA-s dhe Tik Tok-ut.

Armela Krasniqi: Patjetër që ka një limit, është ligji! Ne nuk kemi asnjë instrument për të hequr videot vetë. Ofruesi i platformës së shpërndarjes së videove nuk ka përgjegjësi editoriale

Eralda Bano: Keni pasur ju raste kur keni bllokuar video në TikTok kur shajnë një ministër, qeverinë apo kryeministrin. Ka ndodhur?

Anëtarja e AMA-s: Në bazë të ligjit ne nuk e kemi tagrin për të shqyrtuar ankesat që i referohen veprimtarive politike, gjyqësore apo i përkasin një juridiksioni administrativ jashtë AMA-s.

Kryetarja Krasniqi sqaroi më tej se AMA nuk lejohet të kryejë vetë denoncimin e përmbajtjeve të dëmshme drejt TikTok-ut, por nxitet nga ankesat e përdoruesve të platformës për video të dhunshme deri në kufijtë e veprave penale, një pjesë e të cilave u ndoqën gjatë mbledhjes për të treguar rëndësinë e bashkëpunimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA