Ceremonia e mirënjohjes për medalistët e Lojërave Olimpike, Rama: Nderojmë sportistët, shqiptarët që akuzuan se nuk ishin medaljet tona…

04/09/2024 10:39

Në ceremoninë zyrtare të organizuar në Kryeministri për nderimin e sportistëve medalistë të mundjes Chermen Valiev dhe Islam Dudaev dhe trajnerët e tyre, që sollën për të parën herë në historinë e vendit tonë dy medalje olimpike të fituara në Lojrat Olimpike “Paris 2024”, është akorduar nga Kryeminisri Edi Rama vlerësimi përmes shpërblimeve financiare për sportistët medalistë dhe trajnerët e tyre.

Edi Rama: Është një kënaqësi e veçantë që sot ne jemi këtu për këtë ceremoni kaq të veçantë për të nderuar dy përfaqësues të skuadrës sonë olimpike, të cilët i dhanë Shqipërisë edhe dy medaljet e para olimpike në historinë e saj. Por, unë dua të përfitoj nga rasti që të them disa fjalë lidhur me rrugëtimin e bërë deri këtu, sepse këto  medalje nuk janë të rëna nga qielli, po janë rezultat i një rruge të re transformimesh që kanë nisur në mbështetje të sportit edhe falë mundësisë që është krijuar për qeverinë me zgjedhjen e Fidel Yllit në krye të Komitetit Olimpik Shqiptar që na ka dhënë një partner jashtëzakonisht pasionat, jashtëzakonisht këmbëngulës dhe që e ka kthyer marrëdhënien mes qeverisë dhe Komitetit Olimpik shqiptar më në fund në një marrëdhënie strategjike, në funksion të një qëllimi të madh të përbashkët.

Mora këtu në vend të fjalimit një vendim të Qeverisë Shqipërisë i cili daton në dhjetor të 2021 dhe mbështetet në ligjin për sportin të vitit 2017, ku qartësisht synimi ishte që ta çonim në një nivel tjetër mbështetjen për sportistët dhe që të krijonim një klimë tjetër shumë më të favorshme për të gjithë ata që duan të zhvillojnë talentin e tyre në sport dhe që kanë mundësinë t’i japin Shqipërisë sadisfaksione të mëdha në arenën ndërkombëtare. Dhe këtu dua ta lidh edhe faktin që sot ne nderojmë dy sportist të jashtëzakonshëm të cilët nuk kanë lindur në Shqipëri, të cilët nuk e kanë filluar karrierën e tyre sportive në Shqipëri, por të cilët e kanë zgjedhur Shqipërinë për të vazhduar të ushtrojnë pasionin e tyre dhe për të synuar majat më të larta të botës në disiplinën e tyre. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse Shqipëria nga një vend që braktisej nga bijtë e vet, sepse nuk i garantonte dot as ushqimin dhe humbiste njëri pas tjetrit potenciale që ktheheshin në medalje ari për vende fqinje, është kthyer në një vend që mund të adaptojë fëmijë që vijnë edhe nga vende të tjera.

Dhe natyrisht që nëse do të ishte Shqipëria e djeshme, askush nuk do të vinte që të kërkonte të adoptohej nga ky vend dhe ta përfaqësonte këtë vend. Po sot ka më shumë se një arsye për të ardhur sidomos kur bëhet fjalë në sportet individuale olimpike ku e them me bindje dhe mbështetur në fakte jo në opinione që Shqipëria ka arritur të krijojë një kuadër mbështetje që është ndër më të sigurtët dhe ndër më tërheqësit në të gjithë rajonin tonë edhe më gjerë për shkak se natyrisht vende të tjera të mëdha e të zhvilluara kanë shumë e shumë disiplina, ku shkëlqejnë dhe nuk është se shkëlqejnë në disa lloj sportesh që kanë një audiencë më të vogël.

Në këtë mënyrë ne kemi arritur që t’i japim të gjithë atyre që djersijnë më shumë se gjithë të tjerët në arenën e betejave sportive, jo vetëm mundësinë që të stërviten në kushte optimale, por edhe perspektivë të qëndrueshme në jetën e tyre edhe pas aktivitetit sportiv.

Sot Shqipëria iu ofron sportistëve dhe atyre që duan të ngjiten më lart dhe për këtë arsye janë të gatshëm të sakrifikojnë më shumë, kushte që kurrë më parë nuk i kanë pasur. Nga ana tjetër, kam marrë këtu me ndihmën e Fidelit këtë tufë letrash për informacion për të gjithë ata, që dhe ne e dimë shumë mirë se sa herë që Shqipëria ka një sukses ka edhe fatin që asnjëherë nuk i mungon hudhra për të mos marrë mësysh, se menjëherë dalin ca shqiptarë që kanë diçka për të thënë për keq. Kështu që, në një kuptim ky është fat. Por në një kuptim tjetër, duhet edhe adresuar çështja e këtyre hudhrave sepse ka të bëjë me informacionin. Dhe hedhja përpjetë e hudhrave ishte që ne nuk kishim pse të gëzoheshim për këto medalje, se këto nuk ishin medaljet tona. Këto nuk ishin medaljet e Shqipërisë, këto nuk ishin  medaljet e një rruge pune dhe një rruge përpjekjesh dhe bashkëpunimi i të gjitha forcave për t’ja dalë. Këto ishin medalje që na erdhën si rezultat i dy djemve te ardhur nga larg, që u gjendën rastësisht këtu në Shqipëri edhe në rrugë kapën autobusin e skuadrës olimpike edhe shkuan në Francë bashkë me skuadrën olimpike, dolën atje, u rrahën me ca të tjerë edhe morën medaljen.

Këtu janë medaljet e Shqipërisë në kampionate të ndryshme, që nga kampionate evropiane, tek kampionate mesdhetare, (të lojërave mesdhetare), tek kampionate ballkanike tek turne të ndryshme ndërkombëtare, nga viti 2021 në vitin 2024 dhe në këto tre vite Shqipëria ka marrë 538 medalje.

Natyrisht që janë medalje, e përsëris të niveleve të ndryshme, por të gjitha rastet janë medalje kur shqiptarët të të gjitha moshave, se nuk janë vetëm moshat e rritura, janë dhe moshat e reja dhe do them dhe dy fjalë për moshat e reja, kanë garuar me të tjerë. Kanë garuar këtu në Ballkanin e vogël, kanë garuar më gjerë në Europë, kanë garuar në turne të ndryshëm ndërkombëtarw dhe kanë sjellë 538 medalje. Këto janë medalje të një lëvizjeje sportive që është vënë në lëvizje në Shqipëri. Dhe mua më vjen jashtëzakonisht mirë të them që po të shohësh medaljet e peshëngritjes, Federata e peshëngritjes që punon jashtëzakonisht shumë, dëgjohet pak dhe pastaj harrohet nga injoranca më shumë dhe deri diku dhe qëllimisht nganjëherë, për faktin që i ka sjellë Shqipërisë në këto vite një numër të konsiderueshëm medaljesh. Dhe në medaljet e vitit 2024 Federata e peshëngritjes i ka sjellë Shqipërisë 5 medalje ari në kampionatet europiane, në kampionatin europian meshkuj, femra e kam fjalën për të rinj dhe të reja, 5 medalje ari, këtë vit vetëm. I ka sjellë 6 medalje argjendi, kampionati europian me pjesëmarrjen e gjithë vendeve të Europës për të rinj dhe për të reja. Dhe i ka sjellw edhe një medalje bronzi, pra në total janë 12 medalje të këtij viti.  Dhe këtu kam 2023, 2022, 2021 por nuk po ju lodh me këto. Thjeshtë dua të them që këto medalje janë dallëndyshet e para të një historie që do të sjell medalje të tjera.

Natyrisht, ne nuk jemi as një superfuqi në sport, as ndonjë fuqi për t’u vendosur para përgjegjësisë që të vijë me baule, me medalje nga olimpiadat, por jemi një vend që për 23 vite deri kur ne kemi ardhur ne qeveri kishte ndërprerë fizkulturën. 23 vite në këtë vend nuk është bërë fizkulturë në këtë vend.

Të gjithë mësuesit e fizkulturës ishin lënë rrugëve, e gjithë disiplina sportive ushtroheshin vetëm nga pasioni i jashtëzakonshëm i njerëzve që donin të mbanin gjallë sportin. Një vend, ku numri i palestrave ishte sa gishtat e dy duarve në gjithë Shqipërinë, jo në Tiranë. Ndërkohë që, sot në mënyrë të përmuajshme vazhdojnë hapen palestra që janë me qindra ne Shqipëri, ku kemi sot mbi 10 mijë fëmije që stërviten dhe stërviten në mënyrë të organizuar, që kanë mbrapa trajnerë, kanë mbrapa mjekë sportivë, kanë të gjithë ato analizat dhe dosjen e tyre dhe ndiqen nga Komiteti Olimpik në volejboll dhe basketboll, meshkuj dhe femra.

Ne nuk do fitojmë  ndonjëherë kampionatin botëror apo medaljen e arte të basketbollit, nuk mbase do shohim ndonjëherë në të gjallën tonë Gaz Ccaccin me një emër tjetër, mbase! Por kjo lëvizje sigurisht që është një lëvizje që do të sjellë sodisfaksione edhe në këto sporte ku në të kaluarën, ne kemi arritur të bëjmë të lumtur sportdashësit edhe në kompeticionet e nivelit më të lartë europian.

Po ashtu, ne sot kemi në mundje disa sportistë që kanë medalje olimpike, por unë jam absolutisht i bindur që ata do të sjellin me vete shumë të tjerë pas. Frymëzimi dhe motivimi është histori e provuar dhe e sterprovuar që të tjerët marrin kur shohin se nga vendi i tyre dalin heronj të tillë që për një ditë bëhen heronj kombëtarw për të cilët flet gjithë vendi, është i pazëvendësueshëm me asgjë.

Nëse ka sot, Greqia akoma sportistë që garojnë në olimpiadë apo që garojnë në nivele të larta në peshëngritje, kjo i detyrohet dallëndysheve të para që ishin shqiptarë. Luan Shabani dhe kur Luan Shabani i solli Greqisë medaljen e artë nuk i tha njeri që ky s’është i joni, por përkundrazi i kërkuan ta bënte dhe emrin sikur ishte grek.

Këtyre dy djemve ne i urojmë që të na sjellin të tjera medalje, këtu janë njësoj edhe këta qytetarw të barabartë të Republikës së Shqipërisë njësoj si ata që kanë lindur në Republikën e Shqipërisë.

Dhe patjetër që askush nuk na ndalon dot që te jemi shumë krenarw për medaljet e tyre, por janë medalje të shumta në boks, janë medalje të shumta edhe në turne ndërkombëtar të sporteve të tjera për të cilat nuk po zgjatem, por po them vetëm kaq, që të ndërtosh një lëvizje sportive, e cila arrin të ngjitet në nivele ku mund të konkurrojë me dinjitet, se Luiza Gega këtë herë nuk solli medalje, por ishte atje dhe nëse ne do kemi nesër më shumë atlete që të marrin kaq sa mori Luiza këtë herë që për Luizën nuk është gjëja me të cilën na ka mësuar, kjo do jetë një gjë shumë e madhe për Shqipërinë se është gjithë planeti atje dhe që Shqipëria të jetë edhe në 8, edhe në 16, edhe në 32 vendet që shkojnë më pranë finales është mision absolutisht i përmbushur.

Natyrisht që, hudhrat tona donin të rrihnin Spanjën, të rrihnin Kroacinë, të rrihnin Italinë edhe të vinin këtu me kupën e kampionatit europian dhe shyqyr që i kemi, e përsëris se po mos të kishim hudhrat mund të mos kishim marrë asnjë pikw atje. Por, realiteti i sotëm është i tillë që ne na ndihmon të shohim se jemi në rrugën e duhur, se hap pas hapi do ndërtojmë një sistem sporti dhe do ndërtojmë një botë sportive shqiptare, që do të jetë dinjitoze, që do t’i japë mundësi fëmijëve që të ushtrojnë talentin e tyre. Nuk do bëhen të gjithë kampione, nuk do bëhen të gjithë sportistë që do garojnë, por sa më shumë fëmije të përfshihen, aq më pak prej tyre do qorollepsen nga tik-toku dhe nga gjithë ato mbrokullat e tjera, që të krijojnë idenë se mund të fitosh kampionatin me ato FIFA e çfarë janë ato, duke ngrenë patate të skuqura dhe pas çdo ndeshje çohesh një kg më i shëndoshë.

Në fund fare dua të them që Fideli e shpalli këtu atë ambicien që në  Lojwrat e ardhshme Olimpike, ne të shkojmë për të kërkuar më shumë. Kjo është një dëshirë legjitime po kërkon një mbështetje dhe një organizim më të mirë dhe nga ana tjetër, edhe ajo Fideli tha, lidhur me federatat, të cilat janë drejtpërdrejtë bartëse të potencialit që ne mund të marrim më shumë medalje, jo thjesht në olimpiadë, por edhe në kampionatet e tjera, ka shumë rëndësi dhe unë ju siguroj që do të mbështesim me të gjitha mundësitë tona planin e Fidelit. Tani, të financosh një plan të Fidelit 100%, duhet të kesh buxhetin e SHBA, por megjithatë, unë besoj që edhe Fideli vetë nuk e mohon dot që qeveri si kjo për sportin, nuk e ka pasur sporti më parë dhe nuk ka si të gjejë më pas se minimalisht duhet të kesh një vizion e kemi; duhet të kesh një pasion për sportin, ne s’na mungon, por dhe kur na bie pak kemi Fidelin  që është si doping natyral, aq doping natyral është sa e ka bërë edhe Ogertën që të jetë shumë herë më e tërhequr ndaj sportit seç ka qenë më përpara dhe duhet patjetër edhe mbështetja.

Kështu që të gjitha këto ne besoj se i kemi për të t’i vënë në dispozicion të federatave, për t’i vënë në dispozicion të sportistëve dhe për ta filluar mbështetjen që nga këta më të vegjlit që marrin këto medaljet që unë numërova këtu në mënyrë që shoku Elez të mund ta vazhdojë denjësisht konkurrencën pozitive që ka me Fidelin, që rrjedh që nga koha kur luftohej kush ishin më të zgjuar, mundësit apo peshëngritësit? Më të shkathët, më saktë. Ok, këto ishin ato që kisha unë për t’iu thënë dhe tani dua t’i lutem të dy djemve e ndërkohë do kisha pasur një dëshirë shumë të madhe që të ishin 3 sepse në fakt ai që theu akullin i pari nga të tre, nuk e mori medaljen këtë here, por që të jemi të qartë bashkë, nga të ,3 tifoz personal unë jam i joti se kur fiton, tifozët personalë bëhen shumë, puna është t’i kesh tifozët personalë kur nuk fiton dot. Edhe ti, për fat të keq ku shkove e të zu temperatura tamam kur duhej të merrje medaljen, por si duket  të morën mësysh  nga ajo që bëre me atë fitore të madhe të kampionatit se hudhrat ishin akoma të papërgatitura për t’iu mbrojtur.

Tani që u bëtë disa ju, tani hudhrat i kemi në punë pa pushim, kështu që tani iu marrin të keqen dhe tani jemi shumë krenarë t’iu kemi këtu bashkë me ne edhe na vjen shumë mirë ju ndiheni mirë me fanellën e Shqipërisë dhe duam që, jo vetëm të jeni frymëzim, por edhe të angazhoheni edhe më pas, që sa më shumë të tjerë të rinj të përfitojnë edhe nga eksperienca juaj, t’i stërvitni edhe ata. Keni kohë për këtë, por për t’iu dhënë perspektivën dhe patjetër mirëpresim edhe të tjerë nga të gjitha vendet e botës. Kush ka dëshirë të vijë këtu, nuk i kërkojmë të ndryshojnë emrin, as të ndryshojë ngjyrën e lëkurës, as të ndryshojë   gjë tjetër. Natyrisht, na vjen shumë mirë kur fillojnë mësojnë edhe gjuhën siç mësova që keni filluar ta mësoni edhe ju. Nuk do jetë e lehtë, por edhe gjuha që dini ju nuk është dhe aq e lehtë kështu që besoj e keni edhe aty një lloj stërvitje për ta mësuar shqipen me shpejt seç e mësojnë italianët për shembull. Atëherë me shumë kënaqësi ftoj të dy fituesit, Valevin dhe Dudajevin, ose Cherman dhe Islamin për të marrë medaljet e mirënjohjes.

Tani unë nuk po ta var ty në qafë këtë se është më e rëndë kjo se kjo, po kjo e ka një vlerë jo të vogël. Gjithmonë japim edhe këto që nëqoftëse se të vjen policia tatimore, t’i tregosh që e ke origjinale. Tani ky figura ka një meritë të veçantë sepse më ka mbytur me mesazhe për të dy shokët këtu edhe sa herë i dilje përpara, Guga më kapte ‘’ore do bëhet a s’do bëhet’’. Në fakt ishte fjala për të gjitha shpërblimet por që ta them unë hapur këtu se s’kemi ça i fshehim njëri-tjetrit, kishte një çikë ngërç në këto kanalet tona burokratike se i dukej si çudi që këta bashkë me shokun tim aty kishin emra të çuditshëm dhe si do t’i vlerësojmë ne këta. E kaluam edhe këtë vështirësi.

Përveç shpërblimeve për të gjitha rezultatet e nivelit të lartë ndërkombëtar që e përsëris Shqipëria është nga vendet europiane që i ka vërtet dinjitoze, ne i kemi siguruar dhe perspektivën e gjithë sportistëve të këtyre niveleve që nuk kanë nevojë të shqetësohen se çfarë do të ndodhi të nesërmen kur nuk do të jenë më në arenë, kur do jenë qytetarë të zakonshëm dhe kur do kenë nevojë gjithsesi që të vazhdojnë të mbajnë veten dhe familjen e tyre sepse sipas rezultateve, kanë gradat në forcat e armatosura dhe pensioni u del sipas atyre gradave dhe faktikisht edhe në pension, kanë shpërblime të barabarta me gjeneralët, me kolonelët, me gradat sipas rezultateve. Dhe një gjë tjetër dua të shtoj, sepse më duket e nevojshme, Gjermania është një nga mbretëritë e mëdha të futbollit dhe ishte në një kohë jo shumë larg kësaj kohe, kur kishte në ekipin kombëtar një djalë që vinte nga Afrika dhe vëllai i tij luante me skuadrën afrikane dhe ai ishte gjerman, duhej, respektohej, njëlloj si te gjithë futbollistët gjermanë dhe prandaj kur dëgjon ndonjëherë këta të hudhrave që ngrenë çështje të kësaj natyre, është vërtet për të ardhur turp që flasin të njëjtën gjuhë me mua dhe me ne, që është gjuha shqipe.

Të vjen turp që gjuha shqipe mund të përdoret për të tilla batuta apo për të tilla përqeshje apo për të tilla insinuata që janë barbare dhe nuk kanë asnjë lidhje me botën që jetojmë, me qytetërimin të cilit ne i përkasim dhe me traditën tonë shqiptare që është në mënyrën më të natyrshme, sofra, shtëpia e këtyre djemve dhe kujtdo tjetër që si ata, do të ketë dëshirë dhe do të dojë të përfaqësojë republikën e Shqipërisë.

Dhe përpara sesa t’ju lë të lirë, dua ta them dhe këtë që këto shpërblime nuk janë se u emocionuam dhe se erdhëm për të bërë një shfaqje këtu, këto janë shpërblime të shkruara në vendimin e qeverisë që unë përmenda të vitit 2021, bazohen në ligjin për sportin të vitit 2017, vendimi i 2021-shit ka qenë një përmirësim, me rritje të shpërblimeve, ka pasur shpërblime dhe më parë dhe jam shumë krenar të them që asnjë sportist që ka marrë një trofe të niveleve që parashikon ky kuadër ligjor, nuk është lënë pa u shpërblyer.

Të gjithë kanë marrë shpërblimin sipas ligjit dhe sipas vendimit të qeverisë dhe të gjithë do ta marrin, ndërkohë që ne përsëri do të rishikojmë  kuadrin për të parë mbështetjen e sportisteve që do të përfshihen në planin e olimpiadës së ardhshme  dhe e them këtë sepse në mënyrë të përsëritur, e të përsëritur, e të përsëritur propagandohet e kundërta, ndërkohë që faktet janë këto. Këta sportistë morën atë që iu takonte, që është e shkruar dhe që është aty e shkruar dhe që do të zbatohet për çdo sportist tjetër edhe për këta vetë në qoftë se do të vazhdojnë të përsërisin këto rezultate dhe unë kam shumë besim që do t’i përsërisin rezultate. Kështu që do të na duhet të rrisim shumën se nuk mund t’iu themi lëreni këtë ndeshje se nuk mund t’iu japim dot shpërblimin, po përkundrazi do të garantojmë shpërblimin për çdo sportist. Kjo është hapësira ku të gjithë ata që merren me sportet individuale dhe që kanë talentin, kanë ambicien, kanë ëndrrën që të arrijnë majat mund të zhvillohen të mbështetur dhe të bindur që hap pas hapi do të kenë pranë, jo vetëm Komitetin olimpik po edhe qeverinë dhe patjetër, jo vetëm me kaq, por edhe më shumë. Çdo axhustim i mbështetjes është dhe rezultat i rritjes që ka ekonomia, i rritjes së të ardhurave që ne kemi në mënyrë të përvitshme sepse qëllimi ynë është që vit pas viti ta bëjmë këtë rritje ekonomike një rritje gjithmonë e më të prekshme për të gjithë dhe patjetër që nga kjo rritje ekonomike, nga kjo rritje të ardhurash, sportistët që na nderojnë botërisht janë ata që meritojnë jo vetëm duartrokitjet, po meritojnë edhe këtë mbështetje financiare në rritje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA