Aventura në Shqipëri/ “Business Traveller” sugjeron vendin tonë për pushime jashtë sezonit: Bregdet mahnitës, vende të mrekullueshme e kulinari e pasur

04/09/2024 13:31

Revista “Business Traveller” e përshkruan Shqipërinë nën shkëlqimin e turizmit, me bregdet mahnitës, vende të mrekullueshme të trashëgimisë së UNESCO-s dhe kulinari të pasur.

“Ju mund të keni vënë re titujt e artikujve gjatë 12 muajve të fundit, të cilat e krahasojnë Shqipërinë  me ‘Maldivet e Evropës’ ose, nëse jeni në mediet sociale, influencuesit po çmenden për një zonë piktoreske plazhi në një fshat të vogël bregdetar të quajtur, Ksamil”, thuhet në nisje të artikullit te “Business Traveller”, ku theksohet se Shqipëria ka filluar të lulëzojë.

Revista rendit arsye të shumta për të vizituar Shqipërinë, ndërsa thekson se gjatë viteve të fundit, turizmi është rritur në mënyrë stratosferike. Shifrat e fundit nga Komisioni Evropian i Udhëtimit tregojnë se sektori i turizmit shqiptar është rritur 86 për qind që nga viti 2019.

Tirana përshkruhet si qendra kryesore ekonomike e Shqipërisë dhe zona e saj më e industrializuar dhe me rritjen më të shpejtë.

“Një gamë e plotë e markave ndërkombëtare të hotelerisë në kryeqytet i shërbejnë industrisë së konferencave, eventeve e takimeve“, thuhet në artikull.

Me rëndësi për turizmin konsiderohet ndërtimi i Aeroportit të tretë Ndërkombëtar në Vlorë, që do ti bashkohet atij të Tiranës dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Kukësit në veri.

Në shkrim, veçohen disa nga pikat më të njohura turistike. Berati dhe Gjirokastra janë dy qytete historike pjesë e listës së vendeve të UNESCO-s. Vlora përshkruhet si një ndër qytetet me të gjalla me Lungomaren e mbushur me bare e restorante, ndërsa Saranda veçohet për syrin e kaltër dhe plazhet me rërë të bardhë në ksamil.

Revista “Business Traveller”e  sugjeron Shqipërinë për të gjithë ata që kanë zgjedhur të pushojnë jashtë sezonit, pasi shtatori në Shqipëri është i ngrohtë, me diell, pa turma njerëzish e me çmime të përballueshme.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA