Opozita ka shpërndarë një video të rreme në rrjetet sociale, ku kryeministri Edi Rama duket sikur po konsumon lëndë narkotike.
Tashmë në disa prej aksioneve të saj publike, opozita është dëshmuar se ka rënë pre e lajmeve jo të vërteta, të ardhura kryesisht nga qytetarët digjitalë, dhe që ajo i ka shpërndarë si denoncime publike, pa bërë më parë verifikimin e tyre.
Por kjo video e fundit, e shpërndarë në rrjet, kalon edhe faktin që opozita të ketë rënë pre e mashtrimit, pasi ajo tani vetë është autor i një lajmi fake.
Bëhet fjalë për një video të kryeministrit, të cilit përmes inteligjencës artificiale, i është vendosur në një tavolinë lënda narkotike të cilën duket sikur e konsumon.
Top Channel, përmes një aplikacioni në internet ka bërë verifikimin e videos dhe rezulton se ajo në 81% të minutazhit të saj është e fabrikuar përmes Inteligjencës Artificiale.
Video është shpërndarë nga deputeti Edi Paloka, i cili së fundmi është fiksuar në Kuvend, teksa mbante këmbët mbi tavolinën e punës.
Në mungesë të programit politik, emrit të kandidatit për kryeministër, qeverisë hije, apo platformës se si do t’i bindë qytetarët për të marrë mandatin pas më pak se një viti, opozita duket se ka zgjedhur rrugën më të thjeshtë, atë të fabrikimit të fotove dhe videove të kryeministrit, duke tentuar ta godasë atë përmes imazheve fake.
Top Channel