Njëmbëdhjetë persona, duke përfshirë një sipërmarrëse që dikur e quante veten “mbretëresha e plehrave”, kanë dalë në gjyq në Suedi të akuzuar për hedhjen e paligjshme të mbetjeve në vende të ndaluara. Ky është konsideruar si krimi mjedisor më i madh në historinë e vendit.
Gjyqi përqendrohet në kompaninë e riciklimit “Think Pink” dhe ka në qendër të vëmendjes ish-shefen ekzekutive të saj, Bela Nilson.
Prokurorët kanë akuzuar kompaninë për hedhjen dhe groposjen e 200 mijë ton mbeturinave në 21 vende në Suedi në një mënyrë që mund të dëmtojë shëndetin e njerëzve dhe mjedisin.
Nilson, e cila ka ndryshuar emrin e saj në Fariba Vancor, ishte e fundit nga të akuzuarit që arriti në gjykatë të martën. E veshur me syze dielli të mëdha të errëta, ajo refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve ndërsa largoi mikrofonat e gazetarëve.
Ajo përballet me akuza për krim të rëndë mjedisor dhe krim të rëndë ekonomik të lidhur me kompaninë, të cilat ata i mohojnë.
Nga viti 2018 deri në 2020, që ishte edhe kulmi i kompanisë, çantat rozë të “Think Pink”, të cilat ofronin riciklim të lirë dhe asgjësim të mbeturinave, ishin një pamje e zakonshme në kryeqytet. Nilson fitoi çmime për punën e saj si shefe ekzekutive.
Hetuesit e policisë, raporti i të cilëve shkon në 50,000 faqe, gjetën nivele të dëmshme të arsenikut, dioksinave, zinkut, plumbit, bakrit dhe produkteve të naftës.
Top Channel