Tre gra të dhunuara/ Në tre ditë në Korçë e Maliq regjistrohen rastet e rënda

02/09/2024 15:46

Tre gra janë dhunuar në Korçë gjatë 3 ditëve të fundit nga bashkëshortët apo ish bashkëshortët e tyre duke ngritur alarmin për përhapjen e fenomenit të dhunës në familje.

Një shoqëri në tranzicion, ku roli i burrit në familje nuk shihet më si dominues por i barabartë me partneren e po ashtu presioni ekonomik, konsumi i lëndëve narkotike dhe alkoolit sipas sociologëve po rritin agresivitetin brenda marrëdhënieve familjare ku gratë kthehen në viktima të dhunës fizike dhe verbale.

“Të tre rastet për të cilat jemi informuar nga mediat janë shumë të rënda. Ngjarjet lidhen me njëra tjetrën dhe ato tregojnë se shoqëria shqiptare është ende në tranzicion, ku ende nuk kemi konsoliduar rolin e anëtarëve të familjes në familje. Nga një familje patriarkale ku dominonin burrat dhe figura e gruas, nënës, femrës ishte e nënshtruar, kemi kaluar në një fazë tjetër të zhvillimit të shoqërisë, në një shoqëri që bazohet tek të drejtat e njeriut ku edhe femra përpiqet të zejë vendin dhe pozicionin e saj në shoqëri. Rritja e rolit të femrës në familje e shoqëri dhe rritja e pavarësisë së saj, ka krijuar një ngërcc në marrëdhëniet brenda familjes. Nga një shoqëri ku burri kishte superioritet edhe për shkak të traditës së trashëguar nga brezat, sot kemi një familje ku gruaja i qëndron në krah burrit. Ndryshimi i statusit dhe i rolit të burrit e gruas brenda familjes, mendohet se është një nga shkaqet që gjeneron dhunë në familje”, tha Maria Dojçe.

Një nga shkaqet e tjera që çon në konflikte të dhunshme brenda familjes, ku viktima kryesisht janë gra por edhe anëtarë të tjerë të familjes, është edhe masivizimi i përdorimit të substancave narkotike, të cilat përveç të rinjve po përfshin edhe moshën e mesme. Një tjetër arsye që këta individë, në kushte ekstreme, ndërmarrin veprime brutale siç ishte ajo e djegies së 31 vjeçares nga ish bashkëshorti.

Një nga arsyet e tjera që ndikon në shtimin e rasteve të dhunës në familje është edhe kriza ekonomike, pamundësia e burrave kryefamiljarë për të gjetur një punë dhe për të siguruar të ardhura për familjen.

Kalimi nga një shoqëri patriarkale drejt një shoqërie liberale me bazën e të drejtave të njeriut mendoj se është arsyeja kryesore e konflikteve që arrijnë në dhunë fizike brenda familjes.”

Për sociologen problemi kryesor është mungesa e denoncimeve dhe nevoja e rritjes e ndërgjegjësimit të shoqërisë për të reaguar ndaj dhunës.

“Mendoj se reagimi i institucioneve në rastet e denoncuara të dhunës ka qenë korrekt dhe grave të dhunuara u është ardhur në ndihmë qoftë me urdhra mbrojtje apo edhe me ndihmë ekonomike dhe sociale. Problem mbetet mungesa e denoncimeve nga gratë e dhunuara sepse rastet që denoncohen e marrin mbështetjen. Gratë e kanë akoma shumë të vështirë të denoncojnë rastet e dhunës në familje dhe të kërkojnë urdhër mbrojtje. Më shumë se rastet e denoncuara, shqetësim aktual mbeten rastet e fshehura, të paeskpozuara.”

Gjatë tre muajve të fundit në qarkun juglindor janë evidentuar 46 raste të dhunës në marrëdhëniet familjare me 46 autorë dhe janë pajisur me urdhër mbrojtje 68 persona nga të cilët 18 raste me 23 autorë janë evidentuar në Korçë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA