Kosova ka respektuar ligjin dhe Kushtetutën, me mbylljen e pesë komunave paralele serbe në veri, vlerësojnë ekspertët e sigurisë.
Për KosovaPress ka folur profesori Avni Islami, që e cilëson aksionin e policisë si një test të mirë për Kosovën dhe komunitetin ndërkombëtar.
“Operacioni i djeshëm i institucioneve të sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal është në vazhdën e zbatimit të ligjit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës të marrëveshjeve të mëparshme, ku përmes Kosovës dhe Serbisë është nënshkruar një marrëveshje se strukturat ilegale paralele të shuhen”.
Reagimet e përfaqësuesve të huaj, në emër të SHBA, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian që i kërkonin Kosovës të tregonte kujdes në marrjen e vendimeve duke pasur konsultim me miqtë e palëkundur, për njohësit e sigurisë ka një mospërputhje me pikat e dialogut.
“Dhe kur të jetë parasysh që shteti i Kosovës është duke zbatuar ligjin dhe Kushtetutën e vendit dhe marrëveshjet e tilla, atëherë të gjitha këto tensione të cilat po përpiqen disa vende të bashkësisë ndërkombëtare që artificialisht të ngrenë shqetësime, bien ndesh me ato se çfarë është nënshkruar dhe çfarë kanë thënë më parë. Prandaj, dje ishte një test i mirë edhe për institucionet e Republikës së Kosovës edhe për vetë ndërkombëtarët, sepse atë çfarë e thanë ndërkombëtarët nuk doli të jetë ashtu, sepse qytetarët serbë të veriut të Kosovës dhe komuniteteve të tjera janë të interesuar qe të jenë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe të zbatojnë ligjet e këtij vendi’.
Top Channel