Gjykata e Tiranës e la në burg Andrew Boden, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në 16 dhjetor 2022.

Edvin alias Andrew Bode, i shpallur në kërkim, fshihej në banesën e Julian Kalemit, që po ashtu u vu në pranga nga policia.

Ndërsa gjatë operacionit, efektivët gjetën armë në shtëpinë e të afërmit të Julian Kalemit, Andrea alias Adriatik Kalemi, që mbante në shtëpi 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, 1 gjerdan fishekësh, fishekë luftarak, 2 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, 40 145 euro, 438 550 lekë të rinj dhe 3470 dollarë.

Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në vitin 2022, Andrew Bode, në bashkëpunim me dy të tjerë, dyshohet se ekzekutuan Edmond Papën. Disa ditë pas ngjarjes, u arrestua një nga autorët, 30-vjeçari Alban Velo, ndërsa Andrew Bode u arratis.

Viktima, pronar i një lokali në Sarandë dhe me precedentë të mëparshëm penalë, u plagos disa herë me armë zjarri teksa po frekuentonte një bar-kafe në zonën e Selitës. Ai u dërgua në Spitalin e Traumës, por nuk arriti dot t’i shpëtonte plagëve të marra duke ndërruar jetë.

Prishja e pazareve të drogës dyshohet se fshihej pas vrasjes së Edmond Papës. Ekzekutimi i tij ka ardhur si kundërpërgjigje e një eliminimi mafioz që i është bërë një kundërshtari të tij gjatë kësaj vere në Tiranë.

Megjithëse me profil të ulët, 49-vjeçari dyshohet se ka qenë i implikuar në trafikun e drogës nga Turqia në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Angli. Po ashtu, ka dyshime se ai merrej me pastrim parash. Nga verifikimet ka rezultuar se Edmond Papa në Shqipëri kryesisht gjatë verës jetonte mes Sarandës dhe Fierit, por udhëtonte dhe shpesh jashtë vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA