Kryeministri Edi Rama, që mori pjesë në forumin e sigurisë GLOBSEC 2024 në Pragë, u ftua nga moderatori Steve Clemons për temën: “Rajoni nën rrethim: Brishtësia e Ballkanit Perëndimor”.
Intervista nisi me një batutë nga moderatori për atletet e Kryeministrit. “I thashë jam shumë xheloz për atletet se kam ecur nga një skenë në tjetrën sot me këto këpucë të parehatshme“, tha ai, ndërsa Rama u përgjigj: “janë të lira, mund t’i blesh dhe ti“.
Rama theksoi më tej rëndësinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Sipas tij, agresioni rus në Ukrainë e bëri unionin të vetëdijësohet për të pasur pranë rajonin.
“Pikë së pari, përgëzoj Putinin, se falë tij BE kuptoi sa e rëndësishme ishte të kishte pranë Ballkanin Perëndimor. Ishte diçka fatkeqe, na duhej Vladimiri për ta bërë të qartë këtë gjë. Përpara pushtimit në Ukrainë, kishte njerëz që thoshin se NATO-n nuk ka pse të ekzistojë më. Kishte shumë njerëz në union që nuk besonin aspak në atë që e përsërisnin si moto se Ballkani Perëndimor duhet të jetë në BE, duke e bërë njësoj si komunistët njëherë e një kohë që na thoshin se vendi ynë është në parajsën tokësore. Realiteti goditi fort, lufta në Ukrainë tronditi tërësisht status-kuonë. BE nisi të ndërgjegjësohej sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor. Von der Leyen luajti rol thelbësor, që prej ditës së parë u përpoq të përcillte mesazhin, por iu desh edhe ndihmë nga Putini”.
Kryeministri u shpreh se Shqipëria është harmonizuar pa rezerva me politikën e jashtme të Bashkimit Europian. Sipas tij, në vendin tonë, popullariteti i presidentit rus, Vladimir Putin, është i papërfillshëm, por paralajmëroi se njëjta gjë nuk mund të thuhet për vendet e tjera të rajonit.
“Për Shqipërinë është e qartë, jemi pa rezervë, të gjitha i bëjmë pa rezervë, edhe kur shkuam në drejtimin e gabuar. Nuk jemi eurokratë të mirë, ne jemi europian, por jemi shqiptarë. Pa rezervë jemi harmonizuar me politikën e jashtme të BE-së, pa rezervë jemi anëtarë të NATO-s dhe jemi kundër agresionit rus në Ukrainë. Jemi një vend, ku është shumë e qartë, kudo të shkosh nga taksisti e me radhë, se ku i përkasim. Por kjo nuk është për të gjithë vendet e rajonit. Popullariteti i Putinit në Shqipëri është nga 1 për qind deri në 1 për qind e pak. Është ndryshe në vendet e tjera, qëllimi ynë është si të integrohemi plotësisht me parimet europiane dhe mënyrën euroatlantike të të parit të marrëdhënieve me jashtë”.
Top Channel