Rama merr pjesë në Samitin e Pragës, ndan foto nga takimi me Von der Leyen: Për piketat e rrugës sonë të përbashkët europiane

30/08/2024 15:55

Kryeministri Edi Rama është takuar me Ursula von der Leyen, Presidenten e saporizgjedhur të Komisionit Europian, ndërsa merr pjesë në Samitin e Pragës.

“Pragë -me Ursula von der Leyen, Presidenten e saporizgjedhur të Komisionit Europian, për piketat e rrugës sonë të përbashkët europiane”, ka shkruar Rama.

Në Pragë po mbahet samiti vjetor GLOBSEC nga ku udhëheqësit e shumë vendeve të botës po diskutojnë çështjet më kritike të lidhura me sigurinë.

Merr pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili do të flasë në panelin me temë “Rritja e Europës, mundësitë, rreziqet dhe e ardhmja”.

Këtë temë kryeministri Edi Rama do ta paraqesë së bashku me presidentin e Finlandës Alexander Stubb dhe kryeministrin e Finlandës Mette Frederiksen.

Ky edicion i 19 i GLOBSEC e ka fokusin në sigurinë në botë në një kohë kur janë aktive disa vatra të forta konfliktesh si ato në Ukrainë ku lufta atje ka hyrë në vitin e tretë, Lindjen e Mesme dhe rajone të tjera.

Pjesë e diskutimeve në GLOBSEC, janë edhe zgjedhjet presidenciale në SHBA si dhe ajo çfarë prodhuan zgjedhjet parlamentare europiane me influencë të pashmangshme, në të ardhmen transatlantike dhe sigurinë globale.

Forumi GLOBSEC ka si synim të shërbejë si një platformë konstruktive dialogu me komunitetin Trans-Atlantik dhe partnerët në të gjithë botën.

Peter Pavel president i Çekisë tha se “GLOBSEC është një konferencë me rëndësi në të kontribuarin e dialogut për çështje të sigurisë kaq të nevojshme për botën,  në kohën plot trazira që po jetojmë”.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA