Mbyllja e zyrave të komunave paralele serbe në veri të Kosovës, reagon ashpër SHBA: Raportet po përkeqësohen

30/08/2024 21:55

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, reagoi ashpër pas mbylljes së zyrave komunave paralele serbe në veri të Kosovës.

Në deklaratën e ambasadës, kritikohet qeveria e Kosovës për veprime të pakoordinuara “që ndikojnë negativisht në komunitetin etnik serb”, ndërsa theksohet se “ky veprim nuk ishte i koordinuar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare”.

“Qeveria e SHBA-së përsërit shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, të cilat vazhdojnë të kenë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë.

Me urdhër të autoriteteve politike të Qeverisë së Kosovës, Policia e Kosovës ka zhvilluar sot, më 30 gusht, operacione kundër institucioneve të mbështetura nga Serbia në veri të Mitrovicës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky veprim nuk ishte i koordinuar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare”.

Më tej, thuhet se qeveria e Kosovës nuk u është përgjigjur kërkesave për dialog, “duke përkqësuar më tej partneritetin mes dy vendeve.

“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar.

Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm i Qeverisë i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premton të ‘vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar’. Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”.

Policia e Kosovës, tha se operacioni në katër komunat në veri të vendit u zhvillua për të ndërprerë veprimtaritë në “pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues”.

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se “janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”. Sipas tij, “komunat e mbyllura janë Qarku i Mitrovicës së Kosovë, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit”.

Më herët gjatë këtij viti, autoritetet mbyllën shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë tjera të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA