36-vjeçari Elis Rrashkadoli duket se i ruhej një atentati, pasi gjatë kontrollit që iu bë iu gjet një pistoletë gati për qitje.
Pista kryesore e vrasjes dyshohet prishja e pazareve mes grupeve kriminale, nisur nga informacionet se ai ishte pjesë e një grupi kriminal në Belgjikë.
Ai ishte duke pirë kafe në lokal, në momentin që qëllua nga autori, i cili ende nuk është identifikuar. Pasi qëlloi 36-vjeçarin, ai është larguar me shpejtësi në këmbë.
Ngjarja që tronditi sot Shkodrën ndodhi në afërsi të rrugës “Isuf Sokoli” në Shkodër në lokalin “Ish Gjuetari”, në lagjen “Ahmet Haxhia”.
“Rreth orës 12:30, në lagjen “Ahmet Haxhia”, në një lokal, dyshohet se një shtetas i paidentifikuar ka vrarë me armë zjarri shtetasin E. Rr., rreth 36 vjeç, banues në Shkodër.
Me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe drejtuesit e Drejtorisë dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër.
Në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër dhe janë vënë në ndjekje të autorit. Gjithashtu është ngritur një grup hetimor i cili ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën intensive në bashkëpunim me Prokurorinë, për sigurimin e provave për dokumentimin ligor të kësaj ngjarjeje.
Nga veprimet paraprake në vendin e ngjarjes, grupi hetimor ka gjetur në çantën e dorës të 36-vjeçarit E. Rr., 1 armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje. Vijojnë veprimet dhe kontrollet intensive, për identifikimin dhe kapjen e autorit”, sipas njoftimit zyrtar të policisë.
Top Channel