Kur dikush ka pësuar një dëmtim të rëndë të trurit dhe është në koma në repartin e terapisë intensive, të afërmit dhe personeli mjekësor në një moment ballafaqohen me pyetjen e mëposhtme:
A i është rikthyer vetëdija pacientit? Pastaj i kërkojnë, për shembull, t’i shtrëngojë dorën. Nëse pacienti nuk reagon fare, zakonisht supozohet se ai është ende në një koma aq të thellë sa nuk mund të kuptojë asgjë.
Hulumtimet tregojnë, megjithatë, se nuk ndodh gjithmonë kështu, ka njerëz që edhe pse nga jashtë nuk reagojnë në asnjë mënyrë, truri i tyre funksionon. Ndryshe nga studimet e mëparshme në qendra kërkimore individuale, të cilat zbuluan funksionin e trurit në afërsisht 15-20% të rasteve përkatëse të ekzaminuara, një hulumtim i ri i revistës së njohur shkencore “Neë England Journal of Medicine” e “ngre” këtë përqindje në 25 %.
Jelena Bodien, autorja kryesore e hulumtimit nga Qendra për Neuroteknologji dhe Neurorehabilitim të Spitalit të Përgjithshëm të Massachusetts, shpjegon se “disa pacientë me dëmtime të rënda të trurit duket se nuk përpunojnë stimuj të jashtëm. Por kur i ekzaminojmë ato me metoda të avancuara teknologjike, si neuroimazhimi magnetik funksional (fMRI) dhe elektroencefalografia (EEG), gjejmë funksione të trurit që na tregojnë diçka ndryshe”.
Hulumtimi shqyrtoi pacientët me lëndime të rënda të trurit nga SHBA dhe Evropa. Këta pacientë kishin pësuar – në disa raste tashmë disa muaj më parë – lëndime kraniocerebrale në një aksident trafiku, goditje në tru ose pas njĽ arresti kardiak. Ndërsa shkencëtarët skanonin trurin e pacientëve, atyre iu dhanë udhëzime të tilla si “imagjinoni të hapni dhe mbyllni dorën tuaj” ose “imagjinoni të bëni një sport të tillë”.
241 nga pacientët nën ekzaminim nuk kanë treguar asnjë reagim të jashtëm. 60 prej tyre, megjithatë, u gjetën të përpunonin udhëzimet në mendjen e tyre për disa minuta. Këta njerëz, pra, siç shkruajnë autorët e hulumtimit, mund t’i kushtojnë vëmendje një stimuli të jashtëm, janë në gjendje të kuptojnë gjuhën dhe të kenë memorie afatshkurtër.
Ky hulumtim ndërkombëtar është shumë i rëndësishëm, thotë Julian Bezel, përfaqësues i Komitetit të Kujdesit Intensiv Neurologjik të Shoqatës Gjermane të Neurologjisë (DGN). Dhe kjo sepse ekzaminoi grupin më të madh të pacientëve deri më sot, u krye në gjashtë qendra mjekësore dhe u trajtua me fenomenin në mënyrë më sistematike, siç thekson neurologja, e cila nuk ishte e përfshirë në studim. Përveç kësaj, hulumtimi ngre edhe një dilemë të rëndësishme etike: nëse trajtimi i pacientëve të tillë duhet të vazhdojë apo jo.
Çrregullimet e vetëdijes mund të zgjasin me ditë, javë, muaj apo edhe vite. “Kërkime të tilla mund të jenë një nxitës, në mënyrë që në disa raste më shumë pacientë të testohen me metoda si EEG dhe të vëzhgohen për një periudhë më të gjatë kohore,” thotë Bezel. Prandaj, në rast dyshimi, pacientëve duhet t’u jepet më shumë kohë.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse trajtimet speciale u ndihmojnë njerëzve të tillë. Trajtimet e sjelljes, medikamentet apo metodat e tjera janë provuar për një kohë të gjatë, por pa shumë sukses apo afatgjatë. Një ekip nga Spitali i Përgjithshëm i Massachusetts po përdor gjithashtu një metodë të re teknologjike, duke lidhur trurin e pacientëve me kompjuterët si një mjet komunikimi.
Frank Erbgut, president i Fondacionit Gjerman të Trurit, konsideron nga ana tjetër se ky studim i ri nuk ka krijuar asgjë thelbësisht të re: “Që ky fenomen ekziston në të vërtetë është e qartë.” Megjithatë, indikacionet, për shembull në një elektroencefalogram , nuk do të thotë se këta njerëz kanë vërtet një nivel më të lartë të vetëdijes. Shenja të tilla shfaqin edhe pacientët nën anestezi.
Megjithatë, të dy ekspertët bien dakord për mënyrën e duhur për të trajtuar pacientë të tillë. “Njerëzit në repartet e kujdesit intensiv dhe të shërimit duhet të trajtohen gjithmonë sikur të perceptojnë diçka nga stimujt e jashtëm. Ju flisni me ta dhe i trajtoni me respekt. Dhe kjo është diçka që po ndodh tashmë sot”, thotë Erbgut.
Top Channel