Dy shtetas të Nikaraguas një burrë dhe një vajzë e vogël, dhe një shtetas ekuadorian vdiqën kur një makinë u përplas me një grup emigrantësh në këmbë ose me biçikleta në jug të Meksikës, njoftuan autoritetet të enjten.
17 persona të tjerë u plagosën në aksidentin në shtetin Oaxaca, tha Instituti Kombëtar i Migracionit meksikan (INM).
“Një automjet privat ka përplasur pjesëtarët e një karvani emigrantësh”, tha INM, duke konfirmuar vdekjen e tre të huajve.
Aksidenti ka ndodhur herët në mëngjes. Një shofer me shpejtësi ka humbur kontrollin, raportojnë mediat meksikane. Burri dhe vajza e vogël po udhëtonin me biçikletë.
Qindra emigrantë , kryesisht nga vendet e Amerikës Latine dhe Karaibeve, kalojnë Meksikën çdo ditë duke u përpjekur të arrijnë në SHBA për të gjetur një jetë më të mirë, duke lënë varfërinë, dhunën ose duke ikur për shkak të situatës politike në vendin e tyre. Ata janë shtetas të Guatemalës, Hondurasit, Venezuelës, Kubës, Haitit… Rrugës bëhen shpesh viktima të dhunës së “ trafikantëve ”, mafiozëve, zhvatjeve nga zyrtarë të korruptuar publikë, aksidenteve, motit ekstrem…
Në dhjetor 2021, 50 persona u vranë në shtetin Chiapas (në jug) kur një kamion i përfshirë në një aksident me një gjysmërimorkio që transportonte ilegalisht 160 emigrantë.
Top Channel