CNN: Foto të vjedhura të modeleve evropiane përdoren për propagandë pro-Trump në rrjetin X

29/08/2024 17:10

Luna, një 32-vjeçare mbështetëse e republikanëve në Wisconsin, SHBA me sloganin e njohur “MAGA Trump”, ka parë numrin e ndjekësve të shumëfishuar që kur ka hyrë në rrjetin X tre muaj me parë, me lëvdata për ish-president Donald Trump dhe njollosje ose teori konspiracioni për zv. presidenten Kamala Harris.

“Përse nuk mbështesni presidetin Trump siç bëj unë,” shkruante përdoruesja misterioze @Luna_2K24 më 29 korrik, me një foto bikini të bardha nga plazhi, duke i kërkuar ndjekësve të “reagonin” me një ikonë flamuri amerikan.

Postimi ishte parë nga rreth 54,000 njerëz, por në fakt Luna nuk është e vërtetë.

Sipas investigimit të CNN, fotot e postuara në llogarinë e @Luna_2K24 janë në fakt të Debbie Nederlof, një modele gjermane që nuk besohet se interesohet shumë për zgjedhjet presidenciale ne SHBA.

CNN shkruan se kontaktoi me të renë, nënë e një fëmije, e cila shprehej e zemëruar që fytyra e saj po përdorej në fushatën pro-Trump në rrjetin X.

“Të them të drejtën janë shumë e zemëruar, sepse unë nuk kam të bëj fare me Shtetet e Bashkuara apo me Trump, çfarë më intereson mua nga një qytezë e vogël në Gjermani për politikën në SHBA?

CNN shkruan se Nederlof është një prej të paktën17 grave modele apo influencuese nga vende evropiane, si Holanda, Danimarka apo Rusia, fotot e të cilave vidhen nga ente të panjohur për të promovuar politikisht Trump dhe kandidatin e tij të dytë, Senatori JD Vance.

Investigimi i CNN dhe OJQ-së monitoruese CIR, thotë se ka identifikuar 56 profile të rreme në rrjetin X që përdorin teknika të ndryshme manipulimi në promovimin e Trump-Vance për zgjedhjet presidencial 2024.

Ata shtojnë se nuk ka prova që fushata e Trump të jetë e përfshirë.

Të gjitha llogaritë përdorin foto të femrave të bukura, shumica të vjedhura, kurse të tjera të gjeneruara me inteligjencën artificiale, për të gjeneruar mbështetje për Trump me anë të hashtag-eve të njohura të tij si  #MAGAPatriots, #MAGA2024 and #IFBAP.

Shumë prej tyre janë krijuar muajt e fundit dhe numri i ndjekësve të tyre është rritur. 15 prej llogarive raportohet se kanë’ shënuesit blu’ të rrjetit, që do të thotë se janë ‘të verifikuara’, ndërsa tetë janë sinjalizuar për përdorim imazhesh të vjedhura.

Pas interesit të CNN rrjeti X ka fshirë shumicën e llogarive të dyshimta.

Nederlof nga Gjermania thotë se nuk është hera e parë që i vjedhin imazhet pa miratimin e saj, por kjo është hera e parë që ato përdoren për fushata politike.

Në profilin e rremë me fotot e Nederlof shiheshin gjithashtu teori të frikshme konspiracioni në favor të Trump si ajo e vjedhjes së votave nga demokratët, ose deklarata homofobe, anti-vaksina, anti-LGBTQ, ose raciste.

Profilet në rrjetin X vijnë teksa gara mes 2024 Harris e Trump nxehet, bashkë me rrezikun e ndërhyrjeve si ato të deklaruara nga demokratët në zgjedhjet e 2016, kur ata akuzonin se rrjete ruse kishin influencuar publikun në favor të Trump.

Por kësaj radhe panorama elektorale dukej ndryshe pasi Trump nisi platformën e tij sociale ‘Truth Social’, ndërsa miliarderi Elon Musk bleu Twitter, dhe rihapi llogarinë e pezulluar të ish-presidentit, me premtimet e lirisë së fjalës online.

Tashme e majta ankohet se nën drejtimin e Musk, rrjeti X ka anulluar shumë nga mekanizmat që parandalonin shpërndarjen e teorive të gënjeshtërta ose të konspiracionit.

32-vjeçarja Nederlof thoë se është tepër e zënë teksa duhet të punojë dy punë dhe të kujdeset për djalin 6-vjeçar, për qenin Lou, duke e ndarë ditën mes punës në Luxembourg dhe pjesës tjetër si modele në Instagram.

Teksa ecën në shtëpinë e saj në Trier me qenin, Nederlof tregon sesi u bë modele rrjeti. “Kostot e jetesës, është shumë e vështirë, dua që im bir të ketë një të ardhme të mirë”.

Por bashkë me 74,000 ndjekësit e saj në platformën Meta, erdhi dhe përhapja e llogarive të rreme, për të cilat thotë se vjedhin jo vetmë fotot e saj por dhe të qenit.

“Në një prej rasteve fotot e qenit tim përdoreshin për promovimin e ndërhyrjeve veterinare për kataraktet e syrit, ironike pasi unë punoj vetë në optikë”, thotë e reja.

Ekspertja e sigurisë Emily Horne, thotë se përgjegjësit e mundshëm të propagandës së rreme politike mund të jenë me pozitë politike, por nuk kishte adresa për ta konfirmuar.

“Mund të jenë aktorë shtetërorë pasi disa prej tyre kanë nivele të larta sofistikimi”, thotë Horne, duke iu referuar vendeve rivale të SHBA. “Ne e dimë se ka pasur shumë aktorë shtetërorë që me rrjetet sociale kanë shpërndarë dezinformon dhe vazhdojnë ta bëjnë dhe në zgjedhjet e 2024,” shton ajo, sipas CNN.

FOTO GALERI
1/3
Investigimi i CNN dhe OJQ-së monitoruese CIR, thotë se ka identifikuar 56 profile të rreme në rrjetin X që përdorin teknika të ndryshme manipulimi në promovimin e Trump-Vance

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA