Kapiteni i jahtit luksoz në pronësi të familjes së manjatit britanik të teknologjisë Mike Lynch që u mbyt në Siçili javën e kaluar nuk pranoi t’i përgjigjet prokurorëve gjatë marrjes në pyetje të martën, tha një nga avokatët e tij.
James Cutfield, një shtetas 51-vjeçar nga Zelanda e Re, u vu nën hetim të hënën nga prokurorët italianë.
“Kapiteni ushtroi të drejtën e tij për të qëndruar në heshtje për dy arsye themelore”, u tha gazetarëve avokati Giovanni Rizzuti.
“Së pari, ai është shumë i lodhur. Së dyti, ne jemi njoftuar vetëm të hënën dhe për një çështje të plotë dhe korrekte të mbrojtjes duhet të marrim një sërë të dhënash që për momentin nuk i kemi.”
Lynch, vajza e tij 18-vjeçare dhe pesë persona të tjerë humbën jetën kur jahti Bayesian me flamur britanik, u përmbys dhe u mbyt më 19 gusht, brenda disa minutave pasi u godit nga një stuhi para agimit, ndërsa ishte ankoruar në Siçilinë veriore.
Inxhinieri i anijes, Tim Parker Eaton, u vu gjithashtu nën hetim nga prokurorët italianë, tha një burim gjyqësor të mërkurën.
Vendosja nën hetim në Itali nuk nënkupton fajësinë dhe nuk do të thotë se do të pasojnë domosdoshmërish akuza formale. Është ende e paqartë nëse anëtarë të tjerë të ekuipazhit apo persona të tjerë do të vihen gjithashtu nën hetim.
Prokurorët thanë se hetimi i tyre do të kërkonte kohë dhe do të kërkonte që rrënojat të shpëtoheshin nga deti. Bayesian aktualisht është i shtrirë në anën e djathtë, në një thellësi prej rreth 50 metrash.
Roja bregdetare po kryen aktivitete për të monitoruar kushtet mjedisore në zonën ku u mbyt jahti, tha ajo në një deklaratë të martën.
“Për momentin ne nuk regjistrojmë ndonjë rrjedhje nga rezervuarët dhe nuk ka asnjë gjurmë të ndotjes nga nafta,” tha ai.
Top Channel