Para se zgjedhjet të trokasin, ndryshimet në kodin elektoral duhet që më parë të kalojnë testin e Gjykatës Kushtetuese.
Të vegjlit kanë shtrënguar radhët dhe kanë mbledhur firmat për të goditur marrëveshjen e dy partive të mëdha PS-PD në Kushtetuese.
“Ky është ligji më i keq dhe më antidemokratik. Politikën shqiptare e ka dëmtuar marrëveshja e 2008-ës dhe kjo është një shtesë e asaj dhe shtesa më e keqe. Unë e kam firmosur dje, janë dhe disa kolegë të tjerë deputet si Alibeaj dhe të tjerë. Deri ditën e premte do të dorëzohet për t’i shkuar deri në fund kësaj historie”, shprehet Dashamir Shehi.
Dakortësia mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike parashikon që në parlamentin e pranverës 100 deputetë të ulen si preferencë e kryetarit ndërkohë vetëm 40 të jenë zgjedhje e qytetarëve.
Shehi shton: “Kjo është mbyllje definitive e listës. Ndryshimi që pretendojmë ne është ky, Gjykata Kushtetuese ta quajë jo kushtetuese këtë marrëveshje që u mbyll derën partive që duan ta hapin listën. PD dhe PS ta mbyllin për veten e vetë, por partitë e tjera të kenë të drejtën ta hapin listën”.
Për kodin elektoral si kryetar partie, Dashamir Shehi mund të vërë direkte në lëvizje Gjykatën Kushtetuese pa pasur nevojë për firma deputetësh. Megjithatë në këtë betejë për hapjen e listave kreu i LZHK-së ka me vete dhe deputetë të cilët nuk janë dakord me paktin mes PS dhe PD.
Top Channel