Personat që shikoni në këto pamje kanë zgjedhur të peshkojnë në lumin Shushicë në Selenicë duke përdorur energjinë elektrike.
Me anë të një gjeneratori ata krijojnë një hark elektrik që vret çdo gjë të gjallë në ujë. Kjo masakër mjedisore ndodh përditë dhe pamjet janë regjistruar këtë të hënë.
Sipas dëshmitarëve, janë një grup nga fshati Gjorm që peshkimin me gjenerator e ka zgjedhur si mënyrë biznesi. Ata dalin pothuajse çdo ditë përgjatë lumit për të mbledhur peshkun që më pas e tregtojnë.
Sasitë e peshkut që kapin janë të konsiderueshme por gjithashtu edhe dëmi që shkaktojnë është shumë i madh.
Peshkimi me energji elektrike është tërësisht i ndaluar dhe dënohet me ligj për shkak se shkakton shkatërrimin e të gjithë faunës që ndodhet në ujë.
Përveç peshkut që vrasin, peshkatarët me gjenerator rrezikojnë edhe jetën e tyre duke qëndruar në ujë ndërsa përdorin elektricitetin.
Top Channel