Mijëra demonstrues kundër ekstremizmit të djathtë në Gjermani: Votoni partitë demokratike

26/08/2024 15:46

Një javë para zgjedhjeve në landet gjermane Saksonidhe Turingi, mijëra njerëz demonstruan në favor të demokracisë e diversitetit dhe kundër ideve djathtiste.

Folësit u kërkuan njerëzve të shkojnë në qendrat e votimit më 1 shtator dhe të votojnë për një nga partitë demokratike gjermane.

Në kryeqytetin e Saksonisë, Dresden, sipas organizatorëve të protestës me moton “We are the Firewall” u mblodhën rreth 11 mijë persona. Organizatorët thonë se të paktën po aq njerëz janë mbledhur edhe në Leipzig, kur është mbajtur protesta nën moton “Hand për Hand” (Dorë për dore). Policia nuk ka publikuar të dhëna për numrin e pjesëmarrësve në këto qytete.

Kryetari i Këshillit të komunitetit hebre të Dresdenit, Moshe Barnett, iu drejtua njerëzve të mbledhur në Theaterplatz: “Është në duart tona të vazhdojmë të luftojmë për të mirën, për një Saksoni që i sheh njerëzit si njerëz”. Presidenti i Këshillit të të Huajve në Dresden, Nilsson Samuelsson, u bëri thirrje njerëzve të punojnë kundër ndarjeve në shoqëri. “Nuk duam të kthehemi mbrapa, duam të ecim përpara”, tha ai.

Në Leipzig, kryebashkiaku Burkhard Jung paralajmëroi për rritjen e ekstremizmit të krahut të djathtë. Politikani i SPD-së u bëri thirrje njerëzve të luftojnë për demokracinë në jetën e përditshme.

Edhe në kryeqytetin e Tyringisë, Erfurt, mijëra njerëz demonstruan kundër një zhvendosjeje të mundshme djathtas në zgjedhje. Sipas vlerësimeve të organizatorëve, rreth 7.000 njerëz u mblodhën para parlamentit të landit duke demonstruar nën moton “Stop ekstremizmit të djathtë – dilni të dielën në zgjedhje”. Policia tha se ishin mbledhur rreth 4.500 persona.

Alternativa për Gjermaninë (AfD), dega në Tyringi, e cila, sikur edhe në Saksoni, është klasifikuar nga Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës si ekstremiste e krahut të djathtë, aktualisht kryeson në sondazhe.

Drejtori i Fondacionit Memorial Buchenwald dhe Mittelbau-Dora, Jens-Christian Wagner, foli për një Tyringi të hapur, humane dhe miqësore. Ai paralajmëroi kundër urrejtjes, agjitacionit dhe banalizimit të nazizmit nga AfD dhe ekstremistët e tjerë të krahut të djathtë. Aktivistja për ruajtjen e mjedisit, Luisa Neubauer paralajmëroi për pasojat e rritjes së ideve të krahut ultra të djathtë në diversitetin e shoqërisë.

Ajo kujtoi edhe viktimat e sulmit në Solingen. Islamistët, si edhe ekstremistët e krahut të djathtë, duan të nxisnin frikë dhe urrejtje dhe të përçajnë shoqërinë, tha Neubauer. Gjërat e tilla duhet të parandalohen, theksoi ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA