Për shumë njerëz, plazhi është vendi ideal për të shijuar pushimet verore, por për personat me aftësi të kufizuara, një ditë në bregdet është një sfidë e vërtetë.
Çdo ditë në plazhet e Adriatikut, ata përballen me realitetin aspak miqësor e të përshtatshëm për ta.
Sadik Sallaku, nënkryetar i Shoqatës së Para dhe Tetraplegjikëve të Durrësit thotë: “Operatorët turistikë në bregdetin e Durrësit kanë mungesa të theksuara për sa i takon infrastrukturës për PAK, qofshin dhe turistë të huaj. Ne jemi në një bum turistik, po është shumë e vështirë të gjesh një hotel a vend për të pushuar që t’i ketë kushtet, duke nisur nga rampat që janë jashtë standardeve.”
Sot 47 vjeç, Fatjoni nga Durrësi kujton se si një aksident rrugor i ndryshoi papritur të gjithë jetën, duke e lënë të mbërthyer pas një karrigeje me rrota.
“Më ndodhi shumë shpejt aksidenti, pas shkollës së mesme, kur isha 18 vjeç. Mekanik kam pas qejf, po bëra aksident dhe ndryshoi çdo gjë. Por ecim përpara. Jeta i ka këto”, shprehet Fatjoni
Për shkak të mungesës së infrastrukturës, edhe si pushues ditor në plazhet e qytetit të tyre, Durrësit, këta persona janë të varur nga të tjerët.
Pavarësisht sfidave, Sadik Sallaku, jurist në profesion, vëren se ka pasur disa përmirësime gjatë këtij sezoni turistik, por ato janë të pamjaftueshme.
“Ka akoma shumë punë për të bërë me infrastrukturën, me përshtatshmërinë dhe aksesueshmërinë e plazheve për PAK”, përfundon Sallaku.
Për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre, pushimet në plazh mbeten një sfidë e vazhdueshme, që kërkon angazhim dhe përkushtim nga ana e operatorëve turistik dhe institucioneve, për të krijuar plazhe të aksesueshme për të gjithë në sezonet e ardhshme.
Top Channel