Festa e Shën Kozmait, pelegrinazh në manastirin e shenjtorit që u sakrifikua për Ali Pashë Tepelenën

24/08/2024 20:49

Me qindra besimtarë të krishterë dhe jo vetëm, kanë nisur festimet për festën e Shën Kozmait të Etolit.

Ata i janë drejtuar manastirit në fshatin Kolkondas të Fierit, ku edhe kanë nisur pelegrinazhin me besimin e mrekullive të shenjtorit Kozma.

Besimtarët kanë ndezur qirinj duke i përcjellë lutje shenjtorit dhe besuar në fuqinë mrekullibërëse të tij, ndërsa kanë përcjellë urimet më të mira për familjet e tyre.

Historia dhe gojëdhënat e shumta tregojnë se shenjti Kozma u vra nga Kurt Pasha në 24 gusht 1779, në shenjë hakmarrjeje të miqësisë së tij me Ali Pashë Tepelenën, në fshatin Mujalli të Fierit, fshati ngjitur me manastirin e Shën Kozmait. Ndërsa trupi i tij u gjet po në 24 gusht në lumin Seman nga një prift i kishës së Shën Marisë (kisha ngjitur me manastirin e Shën Kozmait). Trupi i tij u varros pranë kësaj kishe, ndërsa Ali Pashë Tepelena, në shenjë mirënjohjeje të thellë për shenjtin që i parashikonte fatin, financoi dhe urdhëroi ndërtimin e Kishës së Shën Kozmait në vitin 1815.

Kjo është një nga shkaqet pse Festa e Shën Kozmait është kaq popullore në Myzeqenë e Fierit dhe pse besimi në fuqinë mrekullibërëse të shenjtorët është shumë i madh.

Bëhet fjalë për një shenjtor, për të cilin gojëdhënat janë të gjalla, që ka jetuar deri vonë dhe trupi i tij është gjetur në lumin Seman të Fierit.

Festa e Shën Kozmait është një nga festat më të rëndësishme të besimit të krishterë ortodoksë në Fier, e cila kremtohet nga besimtarë të të gjitha besimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA