Një sherr i rëndë ka ndodhur mes dy të rinjve në Astir, Tiranë, ku si pasojë ka humbur jetën një 34-vjeçar.
Autori, 25-vjeçari Darmend Keli është arrestuar nga policia dhe forcat “Shqiponja”, pas ngjarjes së ndodhur në Unazën e Re, rreth orës 18:45.
I plagosuri, Amarildo Hoxhallari, është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, por humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.
Sipas gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat, konflikti ka ndodhur për motive të dobëta, ku dyshohet se viktima i ka ngacmuar partneren autorit.
Njoftimi i policisë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas marrjes së njoftimit se në Unazë të Re, sot rreth orës 18:45, një shtetas kishte plagosur me mjet prerës, një 34-vjeçar, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e autorit dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kap dhe u shoqërua në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale shtetasi D. K., 25 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi D. K., për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës shtetasin A. H., 34 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Vijon puna nga grupi hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Top Channel