Për vite me radhë, Italia u ka rezistuar rregullave të BE-së për t’i dhënë plazhet e vendit me koncesion me tendera të hapura.
Por pas një shtyrjeje të fundit të miratuar nga qeveria deri në fund të vitit, nga fillimi i 2025-sës, asaj do t`i duhet të respektojë kërkesën e bllokut. Brukseli e ka akuzuar Romën për mungesë transparence dhe shkelje të rregullave të konkurrencës. Beteja ligjore e saj me Komisionin Europian për praktikat e saj për dhënien me koncesione të plazheve, ka zgjatur prej gati dy dekadash. Koncesionet për përdorimin e zonës së plazhit janë trashëguar nga një brez në tjetrin duke krijuar siç thotë VOA, një lloj monopoli dhe një simbol të rezistencës së Italisë ndaj reformave ekonomike.
Kostot për pushuesit variojnë përgjatë brigjeve italiane: 25 Euro, për dy shezlongë dhe një çadër, që është çmimi mesatar, ose deri në disa qindra euro në zonat më të njohura dhe të pasura si në Capri. Personat që i kanë fituar këto koncesione pretendojnë se kanë bërë investime të mëdha dhe nëse rregullat do të ndryshojnë kërkojnë dëmshpërblim.
Ekonomistët nga ana tjetër, argumentojnë se përfituesit e koncesioneve në fjalë e kanë shfrytëzuar prej kohësh pozicionin e tyre të privilegjuar, duke i kthyer shtetit italian vetëm një pjesë të vogël të të ardhurave të tyre ndër vite. Sipas Gjykatës Italiane të Audituesve, nga viti 2016 deri në vitin 2020, administrata publike italiane ka marrë çdo vit rreth 97 milionë euro nga 12,166 koncesionet për përdorimin e plazheve të vendit.
Kjo do të thotë se, me një të ardhur mesatare vjetore të vlerësuar në 260 mijë euro, këto biznese kanë paguar vetëm rreth 7,600 euro në vit për koncesionet e tyre.
Top Channel