Argjiroja e para për turistët! Kalaja e Gjirokastrës priti 161 mijë vizitorë nga janari

24/08/2024 12:18

Kalaja e Gjirokastrës u listua sipas statistikave zyrtare si monumenti kulturor më i vizituar në Shqipëri për vitin 2024.

Me një numër rekord vizitorësh prej rreth 160000 vetë kalaja më e madhe në vend vijon të mbetet një prej destinacioneve më të rëndësishme të turizmit historik dhe kulturor duke favorizuar turizmin në tërësi në Jug. E vendosur mbi një kodër në lartësinë rreth 360m kalaja pjesë integrale e qytetit të mbrojtur nga UNESCO ka një hapësirë të vizueshme me një gjatësi gati 500 m. Brenda saj janë vendosur disa muzeume si ai i armëve, burgu i kalasë, një muze historik, disa monumente kulti, kulla e sahatit, rrënojat mesjetare të popullimit, skena e Festivalit Folklorik Kombëtar, si dhe komplekse shumë interesante ndërhyrjesh arkitekturore të lidhura me periudhën e Ali Pashës. Përgjatë 2024 një zonë e izoluar në Jug të kështjellës u pastrua dhe u vu gjithashtu në dispozicion të vizitorëve.

“Kalaja e Gjirokastrës në periudhën që po flasim Janar-Gusht 2024 ka rreth 161 mijë vizitorë ose rreth 30% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Karahasur me dy vite më parë kalaja duke ju nënshtruar një restaurimi ka shtuar edhe një zonë në pjesën jugore të saj e cila mund të vizitohet lirisht. Në publikimin e shifrave zyrtare të vizitave të të gjitha siteve kulturore në Shqipëri nga ana e Ministrisë së Ekonomisë, kalaja e Argjirosë ngelet objekti më i vizituar kulturor në vendin tonë”, tha Ardis Duka, kreu i Drejtorisë së Kulturës Kombëtare në Gjirokastër.

Turistët janë nga e gjithë bota por 2024 kulmoi me italianët e spanjollët si dhe me një prani të shtuar të vizitorëve nga Veriu i Europës.

“10% e numrit të vizitorëve i përkasin biletarisë online, kryesisht janë grupe ose agjensi që përdorin këtë metodë për shkak se ka edhe një reduktim të çmimit. Nisur edhe nga trendi i këtyre muajve ne parashikojmë që numri i vizitorëve të qëndrojë konstant dhe të shënojë një rritje me 30-40% deri në fund të vitit 2024”, tha Duka.

Gati 80% e vizitorëve që mbërrijnë në Gjirokastër vizitojnë të paktën 2 muzeume dhe kalaja është destinacioni kryesor. Vizitat po guidohen këtë vit në të paktën 5 gjuhë ndërsa edhe vizitorët e diasporës kanë rritur interesin që prej 2023. Ajo çka penalizon një pjesë të turistëve për ta arritur këtë destinacion është nevoja për të ecur në këmbë për rreth 15-20 minuta në ngjitje nga qendra historike. E gjithë zona përreth kalasë është një hapësirë me qarkullim të kufizuar për mjetet dhe me vështirësi të lartë parkimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA