Mes konfliktit ushtarak me Moskën tashmë në vitin e tretë, Ukraina kremton sot Ditën e saj të Pavarësisë.
24 gushti shënon gjithashtu 30 mujorin e luftës me Rusinë. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, presidenti Volodymyr Zelensky nxorri në pah qëndresën heroike të popullit të tij përballë pushtimit brutal e të paprovokuar.
“Pavarësinë e ndiejmë secili nga ne. Dhe, të bashkuar, ne mund të fitojmë…Ne i bëmë ballë, e frenuam dhe e zmbrapsëm armikun, dhe tani jemi duke e fundosur. Ne e dimë çfarë është pavarësia, sa e vështirë është ta ringjallësh atë, sa e vështirë është ta mbrosh atë. Por, ne e dimë gjithashtu se çdo gjë varet nga ne”, tha Zelensky.
Festimet e pavarësisë vijnë për ukrainasit në një moment të rëndësishëm kthese për forcat e Kievit, që vazhdojnë avancimin në rajonin rus të Kurskut. Ushtria ukrainas pretendon se tani ka nën kontroll 92 vendbanime dhe 1.260 kilometra katrorë territor rus. Qëllimi i Ukrainës, sipas liderëve të saj, është të krijojë një zonë sigurie brenda Rusisë në mënyrë që të mbrojë civilët e saj prej bombardimeve ruse nga përtej kufirit.
Në ditët e fundit, Ukraina ka sulmuar dhe ka shkatërruar pjesërisht të paktën tre ura mbi lumin Sejm, në këtë rajon. Zelensky i dërgoi po ashtu një mesazh presidentit rus Vladimir Putin se lufta e tij do të dështojë, duke thënë se “nuk na i dikton ne vijat e kuqe gjyshi i sëmurë nga Sheshi i Kuq”.
Top Channel