Muaji gusht për Bashkinë e Tiranës, nuk shënon sezon pushimi por punë.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punën për ndërtimin e terreneve sportive dhe mureve rrethuese për shkollat “Mustafa Greblleshi” dhe “Sandër Prosi”, në Njësinë 2. Ai tha se të gjitha shkollat, kopshtet dhe çerdhet në Tiranë kanë të njëjtin standard me kushte bashkëkohore, pavarësisht pozicionit gjeografik nuk ka asnjë dallim midis një shkolle në qendër me atë që është në periferi të qytetit, për këtë arsye Veliaj kërkoi nga prindërit t’i regjistrojnë fëmijët në shkollën e njësisë ku banojnë.
“Na duhet një punë e jashtëzakonshme me prindërit sepse është vetëm çështje mentaliteti. Duhet punuar që asnjë njësi administrative të mos e shkelë rregullin: Kujt i takon ta regjistrojë fëmijën në shkollat ‘Mustafa Greblleshi’ dhe ‘Sandër Prosi’, sidomos tani që do bëhet edhe terreni sportiv, nuk duhet të shkojë te “Bashkim Fino”. Por, kush është te zona e shkollave ‘Mihal Grameno’ dhe ‘Bashkim Fino’, nëse njëra shkollë është mbushur, do shkojë te tjetra, e cila është me kushte ultra moderne. Ky është një proces i cili kërkon të ndryshojmë edhe këtë ‘infrastrukturën’ 10 centimetra të mendjes sonë, siç do ndryshojmë edhe infrastrukturën 1200 kilometra katrorë të Tiranës”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku përmendi edhe një sërë projektesh, të cilat janë bllokuar nga vendime në favor të privatit dhe jo të publikut.
“Për sa kohë që ka gjykatë të shkallës së parë, të shkallës së dytë, ka Gjykatë Apeli, për sa kohë që ka gjykatë administrative, për sa kohë që Bashkia e Tiranës ka lënë pushimet dhe është në terren, nuk më vjen mirë kur shoh se si interesi publik nuk mbrohet dhe vazhdojmë me të njëjtat debate si para 7-8 vitesh, kur bashkia nuk merr dot një datë gjyqi për të çliruar një investim. Merren masa bllokimi për shkolla, kopshte, çerdhe, në interes të privatit, kundër publikut. Privati ka të gjitha mundësitë të blejë terrene sportive, të investojë, s’ka nevojë t’ia marrë interesit publik, s’ka nevojë t’ia marrë as çerdhes nr.37, s’ka nevojë të bllokohet as Kopshti Botanik, s’ka nevojë të qëndrojnë ende ato dy shtëpitë pa leje te Liqeni”, tha Veliaj.
Veliaj tha se e vetmja rrugë që qyteti të ecë përpara është bashkëpunimi i të gjithë aktorëve duke nisur nga qytetarët, bashkia e deri tek institucionet vendimmarrëse.
Top Channel