DËSHMITË E PLOTA/ “E tradhtova vetëm një herë vite më parë”, zbulohet çfarë tha në polici “molla e sherrit” dhe djali i Erjon Goxharës: Babi ishte në panik, u largua me vrap kur pa policët

23/08/2024 21:30

Erjon Goxhara, polici i cili plagosi me armë 45-vjeçarin Lorenc Kosta, u la në burg nga Gjykata e Tiranës.

Ky i fundit shprehu pendesë për veprimin që kreu në dëm të shtetasi Lorenc Kosta.

Avokatët kërkuan masë më të butë sigurie se arresti në burg me argumentin e tronditjes së rëndë psiqike. Deri në këto momente, Goxhara po hetohet për vrasje me paramendim e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Për këtë të dytën deri në momentin që do të provohet nëse arma e përdorur është e shërbimit ose jo. Gjykata pranoi kërkesën e avokatëve për ekspertizë të gjendjes psiqike.

Kujtojmë se disa ditë pas plagosjes me armë zjarri, ai u vetëdorëzua në polici ku deklaroi ndër të tjera se nuk kishte si qëllim për ta vrarë. Ngjarja ndodhi pasi mësoi tradhtinë e bashkëshortes së tij me Kostën, të cilët punonin në të njëjtin ambient pune.

“Të mësosh që mos të futesh më në familjet e të tjerëve dhe as t’i hash djersën tjetrit”. Me këto fjalë iu drejtua efektivi i policisë Erjon Goxhara, Lorenc Kostës, pasi e qëlloi me 6 plumba.

Në dëshminë e tij, Goxhara tha se u provokua vazhdimisht nga Lorenc Kosta, madje ky i fundit i kishte thënë se “nuk ke çfarë më bën se unë të heq nga puna”.

Dëshmia e Erjon Goxharës:

“Ndodhesha tek Komuna e Parisit me time bijë, ishim ulur në një sufllaqe. Para tavolinës sonë kaloi Lorenc Kosta dhe më provokoi. Kaloi dy herë para tavolinës sime. Ai më ngacmonte gjithmonë që përballeshim dhe më thoshte s’më bën dot gjë mua sepse unë të heq nga puna. Në përballjen e fundit nuk durova më dhe e qëllova. Nuk kam dashur ta vras prandaj qëllova poshtë. Pas ngjarjes kam telefonuar tim bir dhe e kam takuar. Ikëm bashkë me taksi për në Fresk. Aty jam përballur me një polic civil i cili më thirri me emër dhe më tha të qëndroj duke më nxjerrë armën. Unë i thashë më mirë vras veten sesa të dorëzohem dhe jam larguar në drejtim të Dajtit derisa vendosa të vetëdorëzohem”.

Këtë të premte është zbardhur edhe dëshmia e bashkëshortes së efektivit.

Gruaja e Goxharës ka deklaruar se pas presioneve të vazhdueshme të të shoqit i cili sipas saj ishte fiksuar se ajo e kishte tradhtuar, ajo ia ka pranuar, por i ka thënë që ka ndodhur vetëm një herë dhe më pas ai e ka ofenduar dhe dhunuar.

Dëshmia e plotë e bashkëshortes së Erjon Goxharës:

“Kam pasur një raport intim me shtetasin Lorenc Kosta. Kjo gjë ka ndodhur vetëm një herë, pas këtij momenti, kontaktet me Lorencin kanë qenë vetëm për çështje pune. Prej muajit Janar 2024 Erjoni ka shfaqur shenja xhelozie, duke u fiksuar që mund ta tradhtoja.

Fillimisht, pretendimet e tij për tradhti nga ana ime ishin pa ndonjë shkak të arsyeshëm apo bazë konkrete, saqë në vijim filloi të bëhej obsesiv dhe të më ushtronte presion psikologjik që unë t’i tregoja personin me të cilin e tradhtoja. Në fillim të muajit korrik, pas presionit të vazhdueshëm dhe dhunës fizike të ushtruar nga ana e Erjonit, unë i kam pranuar që e kisha tradhtuar vetëm 1 herë, vite më parë, me një kolegun e punës sime, shtetasin Lorenc Kosta.

Fillimisht Erjoni më ka thënë që t’i tregoj se do m’i falë të gjitha, por pasi unë i kam treguar në lidhje me flirtin e hershëm me shtetasin Lorenc Kosta, ai është bërë keq dhe më ka ofenduar, sharë dhe ushtruar dhunë fizike ndaj meje. Një javë pas këtij konflikti, Erjoni, nga telefoni im ka komunikuar me Lorencin dhe e ka kërcënuar me jetë”.

Ndërkohë nga ana tjetër, djali i çiftit ka rrëfyer të gjithë kronologjinë e ngjarjes pasi babai i tij ka kryer plagosjen dhe se ku është fshehur, ndërsa komentoi edhe marrëdhënien e prindërve të tij.

I riu ka treguar se “kam dëgjuar debate mes prindërve, për shkak se babai dyshonte se mamaja e tradhtonte me një koleg që quhej Lorenc. Djali i policit konfirmon se “mami ia ka pranuar babit që dyshimet që ai kishte në lidhje me Lorencin ishin të vërteta dhe se ajo e kishte tradhtuar.

Gjithashtu, tregon djali i Gaxharës, babai i tij ka thënë se nuk do të dorëzohet dhe se “më mirë vras veten sesa të kalbem në burg”.

Dëshmia e plotë e djalit të Erjon Goxharës

“Rreth orës 14:35 kur unë isha bërë gati për të dalë nga shtëpia dhe të shkoja në punë mua më ka marrë në telefon sërish babai im dhe më ka thënë se kishte plagosur Lorencin me armë. Unë e kam pyetur i revoltuar se përse e bëri. Ne kemi biseduar disa here pas kësaj telefonate ku ai më ka thënë që të dilja të rrethi i Shkozës pasi ne do të shkonim ne zonën e Freskut pasi atij i duhej të shkonte atje. Gjatë kohës që ne kemi komunikuar në telefon unë kam vënë re qe ai ishte në gjendje shumë të rënduar psikologjike dhe mua m’u duk që ai gjatë tërë kohës ishte në panik.

Unë kam dalë në vendin ku ai më tha që ta prisja dhe gjatë rrugës që ai po vinte kemi komunikuar disa herë të tjera ku e pyesja se ku ishte dhe nëse ishte mirë. Pasi babi ka ardhur te rrethi i Shkozës në këmbë ne kemi marrë një taxi dhe jemi nisur për në zonën e Freskut. Kemi ndjekur rrugën nga rrugicat ku banon ish-presidenti Bamir Topi kemi dal te restorant Fresku dhe më pas kemi marrë rrugën per nga zona e Thesarit në Fresk.

Gjatë rrugës pasi dhe unë kam qenë shumë i tronditur nga çfarë kishte ndodhur mesa mbaj mend babai im ka biseduar disa herë në telefon mesa unë kuptova me drejtues policie të cilët pyesnin se ku ai ndodhej por babi u ka thënë që nuk ua tregonte se ku ndodhej. Sapo ne kemi mbërritur te zona e Thesarit të shtetit kemi zbritur të dy nga taksia dhe shoferit të taksisë i tha të priste kurse mua më tha që ta ndiqja nga pas.

Menjëherë në këtë moment sapo ne kemi zbritur na janë afruar 2 punonjës policie të veshur civil të cilët e kanë thirrur në emër babain tim Erjon dhe ai sapo i pa u largua me vrap në drejtim të rrugicave të pallateve pranë Thesarit duke u thënë këtyre personave që më mirë vras veten sesa të kalbem në burg. Këta persona e kanë thirur Erjon hajde me ne por babi u largua me vrap dhe këta të dy e kanë ndjekur me vrap nga pas.

Menjëherë pas kësaj shoferi i taksisë u largua kurse unë kam qëndruar në trotuar dhe nga një mjet tip BMË X5 ngjyrë e bardhë mua më ka thirur një person që të afrohesha unë kam refuzuar dhe më pas nga kjo makine ka zbritur daja im i cili quhet Marsel Seferi dhe është punonjës policie në dijeninë time në Strukturat Operacionale të Policisë.

Ai mu afrua mua dhe më mori dhe së bashku ne hipëm në mjetin BMË x5 për të cilin pasi e pyeta ai më tha se është mjet i punës. Mua daja pasi kam hipur në mjetin në fjalë më ka thënë se do të shkonim te Drejtoria e Policisë ku unë do të jepja deklarime për çfarë dija dhe se çfarë kishte ndodhur.

Pak a shumë ky është intenerari lëvizjeve të mia sot dhe se çfarë ka ndodhur, unë kaq arrij të mbaj mend pasi jam dhe shumë i tronditur psikologjikisht nga e gjitha çfarë ka ndodhur. Midis prindërve të mi ka rreth një muaj që kanë lindur disa kontradita dhe debate mosmarrëveshje.

Mesa unë kam kuptuar dhe kam dëgjuar keto debate kanë lindur pasi im atë dyshonte se mamaja ime e tradhëtonte atë me një koleg të punes. Mamaja ime prej afro 5 vitesh punon si specialiste pranë ERE-s. Pasi im atë e ka provokuar në lidhje me një koleg të saj të quajtur Lorenc mami ia ka pranuar babit që dyshimet që ai kishte në lidhje me Lorencin ishin të vërteta dhe se ajo e kishte tradhëtuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA