Autobusët që qarkullojnë në Tiranë, ofrojnë shërbim shumë herë më të mirë se më parë.
Pas lajmit të mirë nga qeveria për rritjen e pensioneve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndau me kryeqytetasit një tjetër lajm të shumëpritur për të moshuarit e qytetit, nga 1 janari i vitit të ardhshëm udhëtimi për pensionistët në Tiranë do të jetë pa pagesë.
“Lajmi i mirë për pensionistët është se nga 1 janari ne do të subvencionojmë transportin publik për ta. E kuptoj që inflacioni, çmimet janë një stres për pensionistët dhe teksa qeveria po mendon për rritjen e pensioneve, bashkia do të japë kontributin e saj, duke e bërë udhëtimin falas, nga 1 janari 2025, për të gjithë pensionistët e qytetit të Tiranës”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj inspektoi shërbimin e linjës nr.2 të urbanëve që operojnë në kryeqytet, e cila ka rinovuar plotësisht flotën e autobusëve të saj. Nga Terminali Lindor i Autobusëve, Veliaj tha se edhe pse shërbimi i transportit është përmirësuar ccmimi i biletës për qytetrët nuk ka ndryshuar.
“Po transformojmë një pjesë të madhe të stacioneve. Do të vihen tabelat e reja, sipas një metodologjie që përdoret edhe në Paris, në Londër, apo Nju Jork; pra, qytetarët do ta dinë saktësisht se ku ndodhet autobusi dhe si mund të lidhen me një linjë tjetër. Për momentin jemi duke punuar në 137 stacione, ku po vendosim tenda, tabela etj., dhe në momentin që qytetarët kanë autobusë me ajër të kondicionuar, stacione me tabela elektronike, që tregojnë ekzaktësisht sa do të jetë koha e pritjes, unë besoj se kemi mbërritur një fitore të jashtëzakonshme për një nga sistemet më të degraduara që gjetëm në Tiranë, totalisht të privatizuar dhe pa kontroll nga bashkia”, u shpreh ai.
Linjat e Tiranës tashmë janë të disponueshme në Google Maps, për të gjithë turistët që janë të lidhur me teknologjinë. Teksa kryebashkiaku Veliaj njoftoi edhe blerjen e flotës së autobusëve elektrikë, për të shndërruar sistemin e transportit urban.
Top Channel