Përmbushet amaneti i Kadresë! Ja cilat dorëshkrime do ruhen në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. Bido: Hap i rëndësishëm për…

22/08/2024 14:17

Dhjetëra dorëshkrime dhe shtypshkrime të gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadaresë, do të ruhen tanimë në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

Dorëshkrimet dhe shtypshkrimet të gjeniut të letrave shqipe, që la gjurmë edhe në letërsinë botërore, do t’i nënshtrohet restaurimit, për të kaluar më pas në procesin e digjitalizimit të tyre.

Studiuesi Ardit Bido tha se ky është një hap i rëndësishëm për të mos pasur asnjë lloj problematike me humbjen e pasurive të mëdha kombëtare.

“Dua të falënderoj veçanërisht familjen e shkrimtarit të madh, Znj. Gresa, Znj. Helena, Znj. Besiana, të cilat vendosën që t’ia besonin Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave ruajtjen e kësaj pasurie deri në çastin që do të vendosin çfarë do të bëhet me të.

Të gjitha këto dorëshkrime janë tashmë pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave për ruajtje, për restaurim dhe për digjitalizim, si një hap i rëndësishëm për të mos pasur asnjë lloj problematike me humbjen e pasurive të mëdha kombëtare.

Në këto vite, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka pasur dhurime te personaliteteve të mëdha të historisë sonë që nga Lasgush Poradeci, Rauf Fico dhe kështu me radhë. Dokumente, të cilat përndryshe do ishin të struktura në sëndukë që ruhen me më shumë dashuri sesa këtu, por që ruhen me më pak profesionalizëm sesa këtu.”- tha Bido.

Mes materialeve të dorëzuara, bëjnë pjesë dorëshkrimet e veprave: “Spiritus”, “Darka e gabuar”, “Ra ky mort e u pamë”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Koha e parasë”, “Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve”, “Stinë e mërzitshme në Olimp”, “Hamleti”, “Hijet”, “Përbindëshi” dhe “Mosmarrëveshja”. Po ashtu, janë dorëzuar edhe shtypshkrimet e veprave “Sorkadhet e trembura”, “Aksidenti”, “Ftesë në studio”, “Ëndërrimet” dhe “Mëngjese në Kafe Rostand”. Krahas tyre, gjenden edhe blloqet me shënime të hedhura prej Kadaresë gjatë krijimtarisë, albume me foto të tij familjare, albume nga aktivitete të shumta kulturore, si edhe dekreti i shtetësisë së Republikës së Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA