Gjykata Speciale ka njoftuar se administrata ka caktuar Rodney Dixonin si kryembrojtës të ri të ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Sipas Speciales, ky emërim u bë në pajtim me urdhrin e Trupit Gjykues në çështjen në Hagë.

Emërimi i Dixonit në krye të ekipit mbrojtës të Veselit u bë pas dorëheqjes së djeshme të Ben Emmersonit nga kjo pozitë.

Veseli dhe Emmersoni u pajtuan me këtë vendim, duke bërë që Trupi Gjykues të aprovojë përfundimin e përfaqësimit ligjor për shkak të “prishjes së parevokueshme të raportit avokat-klient”.

Dixon ka një karrierë të spikatur në fushën e të drejtës ndërkombëtare publike dhe penale, si dhe të drejtave të njeriut, duke përfaqësuar qeveri, politikanë të shquar dhe individë në raste të ndërlikuara globale.

Ndër rastet më të spikatura ku Dixon ka qenë i angazhuar, përfshihen përfaqësimi i Qeverisë së Afganistanit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, mbrojtja e viktimave ujgure në rastin e gjenocidit të supozuar nga autoritetet kineze dhe përfaqësimi i Al Jazeera-s në rastin e vrasjes së gazetares Shireen Abu Akleh.

Ky ndryshim në ekipin mbrojtës të Veselit vjen në një kohë kur procesi gjyqësor është në faza kritike, por Gjykata ka siguruar se procesi do të vazhdojë pa vonesa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA