Skënder Hajdini 71 vjeç dhe djali i tij Bledar Hajdini 43 vjeç janë të arrestuarit e parë si bashkëpunëtorë në vrasjen e Faik Hajdinit në fshatin Zhapokikë 2 dy ditë më parë.

Në lagjen Cenometaj të fshatit ka vetëm 3 shtëpi. Njëra i përket viktimës dhe 2 të tjerat bashkëpunëtorëve të autorit. Burime nga prokuroria bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ka qenë pika fundore e një serie incidentesh dhe sherresh mes të dy familjeve. Autori i dyshuar i këtij krimi Blerti Kanushi strehohej prej disa muajsh në banesat e Skenderit dhe Bledarit pasi ai ishte në kërkim nga policia për vepra penale që lidhen me kultivim dhe trafikim narkotikësh. Për shkak të marrëdhënieve të vështira që familjet kishin me njëra tjetrën si dhe debatit të ashpër pak kohë më parë për një vijë uji, Blerti Kanushi druhej se 72 vjeçari Faik Hajdini mund të denonconte në polici vendndodhjen e tij.

Viktima prej kohësh nuk jetonte në fshat por ai udhëtonte çdo javë nga Tepelena për atje për të kontrolluar banesën dhe kopshtin.
Rrugës për në fshatin Zhapokikë gjatë fundjavës Faik Hajdini ka futur në mjetin e tij disa trungje pemësh të lëna buzë rrugës të prera nga bashkëpunëtorët në krim. Kjo ngjarje u bë shkak fillimisht për një konflikt verbal mes tyre. 23 vjeçari Kanushi që strehohej nga familja Hajdini është përfshirë në konflikt dhe më pas i ka zënë pusi Faik Hajdinit ndërsa ai po shkonte drejt mjetit të tij për tu kthyer në Tepelenë.

Hetuesit konfirmuan se ka shenja të një përleshjeje fizike mes dy burrave dhe më pas një goditje me sopatë në pjesën e pasme të qafës. Mendohet se në momentin e krimit edhe 71 vjeçari i arrestuar Skënder Hajdini ka qenë prezent dhe ka ndihmuar për shtyrjen e trupit të viktimës në përrua për të humbur gjurmët.

Pas ngjarjes Blerti Kanushi është larguar me këmbë në drejtim të një zone të thellë të pyllëzuar. Policia ka rrethuar gjithë zonën dhe po ngushton perimetrin e kërkimit.

Ndërkaq të dy të arrestuarit nuk kanë pranuar të kenë marrë pjesë në krim dhe sipas hetuesve nuk duken as të shqetësuar as të penduar. Ata kanë kërkuar të lihen të lirë për shkak të bagëtive të braktisura në kullotë.

Ekspertët kriminalistë po vlerësojnë edhe pjesëmarrjen e anëtarëve të tjerë të familjeve të të arrestuarve në këtë krim përmes ndihmës, krijimit të kushteve për largim të autorit dhe fshehjes së krimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA