“Folk on Tour” koncerti shëtitës i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore është ndalur në Gjirokastër me një kombinim motivesh të këngëve e valleve nga i gjithë vendi.
Dinamika e eventit krijoi një atmosferë të veçantë dhe festive në zonën muzeale të qytetit.Koreografia dhe motivet e kostumeve tërhoqën më së shumti vëmendjen.
“Gjirokastra është një mikpritëse shumë e mirë e kulturës, e traditës, absolutisht jo vetëm për turistët e huaj por mbi të gjitha dhe për vendasit dhe qytetarët e Gjirokastrës. Është një kënaqësi e veçantë, këtu ndjejmë vërtet atë aromën e traditës, kulturës, mikpritjes dhe jo më kot shumë evente si FFK i Gjirokastrës organizohen në mënyrën më perfekte këtu, për ne është kënaqësi të ndajmë mbrëmjen me gjirokastritët dhe me turistët”, tha Helga Saraçi artiste.
“Ky qytet i gurtë mban me vete shumë emocion , shumë gjëra karakteristike, dhe ne ndihemi si në shtëpinë tonë për të performuar sa më mirë aq më shumë që ka edhe shumë turistë të cilëve iu pëlqen shumë folklori dhe do mundohem sado pak tja tregojmë këtë folklor”, u shpreh artistja, Emiljana Baja.
Eventet me natyrë folkun dhe traditën kanë qenë të shumta këtë verë pasi kanë qenë edhe performancat më të pëlqyera nga vizitorët. Pritet që të paktën 5 evente të ngjashme të sillen në zonën muzeale përgjatë kohës së mbetur të sezonit të lartë.
“Aktivitetet do të vazhdojnë përgjatë gushtit ndërsa shumë surpriza na presin në shtator”, tha Kristina Gushi nënkryetare e bashkisë.
Elementë të folkut të tillë si kostumografia, eksperincat e qëndisjes, isopolifonia kanë përfshirë qindra vizitorë këtë verë të cilët kanë mësuar të mbajnë iso mbi kalldrëm, të qëndisin apo gdhendin një kujtim ose të vishen si vendas.
Top Channel