300 familje në Kombinat mbetën të pastrehë nga tërmeti, bëhen me shtëpi të re në shtator

21/08/2024 14:37

300 familjeve që tërmeti i 26 nëntorit u shkatërroi shtëpinë në zonën e Kombinatit, në shtator do të kenë çelësat e shtëpive të reja me kushte shumë herë më të mira dhe bashkëkohore.

Kreu i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj tha se do të ndiqet e njëjta metodë në hedhjen e shortit, si në rastin e banesave në zonën e “5 Majit”. Ai siguroi se pavarësisht betejave penguese nëpër gjyqe nga partitë politike dhe problematikat e hasura me bllokimin e punimeve, Bashkia e Tiranës nuk e ka ndaluar asnjëherë punën.

“Sot është një ditë e bekuar sepse kalojmë nga kur thoshim ‘mjerë ata që humbën shtëpitë e tërmetit’, në ‘lum ata që do të marrin shtëpitë e reja’. Ju jam mirënjohës për punën sepse dua që, kur qytetarët të kthehen nga pushimet në shtator, të gjejnë shkolla të reja, kopshte të reja, çerdhe të reja, dhe sidomos për qytetarët e Kombinatit të japim këto 300 apartamente, që zgjidhin pjesën më të madhe të nevojtarëve. Për të gjithë ato familje që kanë 5 vite që presin të vijë kjo ditë, më në fund kemi këtë lajm të mirë. Sigurisht, këtë lajm të mirë mund ta kishim patur më shpejt nëse nuk do kishim pasur problematikat që kemi hasur këtu me bllokimin e punimeve, me partiçka që na kanë çuar në gjykatë, ndërkohë që vetë sot nuk ekzistojnë më, kanë ndërruar emrin dhe janë bërë copë çikë”, tha Veliaj.

Kreu i bashkisë tha se në këtë zonë nuk do të mungojnë hapësira e gjelbër, ndriçimi apo kamerat e sigurisë. Ai th se nëse bashkia ka për detyrë t’i ofrojë këto shërbime, janë banorët e zonës ata që duhet t’i mirëmbajnë dhe kjo është në të mirë të komunitetit dhe gjithë qytetit.

“Por thelbi i suksesit të këtij projekti nuk do të jetë dhënia e shtëpive të reja. Nëse këtu gëlon jeta, funksionon ndriçimi, kamerat e sigurisë, lulishtja për të moshuarit, parku për fëmijët, dhe për të gjitha këto kujdeset një sy nikoqir, për të mos lejuar amortizimin e impianteve të ujit, ndriçimit, utilitetet e ndryshme etj, atëherë kemi bërë vërtet një kryevepër. Bashkëjetesa është shumë e rëndësishme dhe unë jam i bindur se qytetarët e Kombinatit, siç kanë qenë mbështetës dhe të duruar në gjithë këto peripeci që kemi kaluar, do të jenë bashkëpunues edhe për të gjetur gjuhën dhe krijuar vërtet një formulë për bashkëjetese”, u shpreh kreu i Bashkisë.

Në zonën ku po ndërtohen banesat e reja në Kombinat, janë parashikuar objekte banimi me 6 dhe 8. Zona do të ketë sheshe urbane ndërthurur me banesa, pedonale dhe rrugë për biçikleta. Ndërtimi i banesave do të jetë gërshetuar edhe me ndërtimin e objekteve arsimore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA