Rihapet banka qendrore pas lirimit të drejtuesit të marrë peng nga militantët (fotot)

19/08/2024 17:54

Banka qendrore e Libisë njoftoi sot se ka rinisur operacionet pas lirimit të drejtuesit të saj që ishte marrë peng nga shtëpia.

Banka CBL konfirmoi lirimin e Musaab Muslamm, kreu i departamentit të teknologjisë së informacionit, i cili ishte marrë me forcë të dielën nga një “palë e paidentifikuar”.

Zyrtarët shtonin se Msallem ishte marrë nga kryeqyteti Tripoli, ndërsa ishin kërcënuar me pengmarrje edhe zyrtarë të tjerë të bankës.

Pas ngjarjes CBL kishte ndaluar punën, duke refuzuar hapjen deri në lirimin e zotit Msallem.

Në një deklaratë të dhënë sot, banka tha se po vijonte normalisht punën pasi zoti Msallem ishte liruar dhe ishte në gjendje të mirë.

Banka qendrore e Libisë, e cila është e pavarur por ‘në pronësi’ të shtetit të Libisë, është menaxhuesja e vetme e të ardhurave të naftës së Libisë, që janë vitale në vendin e ndarë prej vitesh nga lufta e brendshme, me dy qeveri rivale të krijuara respektivisht në  Tripoli e Benghazi, që prej përmbysjes së dhunshme të liderit Moamar Gadafi në revolucionet e rajonit në 2011.

Media të cituara nga rrjeti AFP, thonin se pengmarrja kishte si objektiv detyrimin e dorëheqjes së guvernatorit të bankës Seddik al-Kabir.

Vendi mbetet i ndarë me luftë të brendshme për pushtet mes qeverisë së njohur nga OKB me bazë në Tripoli, dhe asaj në lindje të komanduar nga gjenerali militant Khalifa Haftar.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA