Katër persona në Durrës janë arrestuar pasi dyshohen se kanë vjedhur tre automjete.
Dy prej të arrestuarve, vodhën njërin prej automjeteve duke u prezantuar si punonjës parkingu.
Në kuadër të operacionit “Three”, që erdhi si pasojë e denoncimeve të qytetarëve që i ishin vjedhur makinat, brenda një kohe të shkurtër, është bërë e mundur të lokalizohen vendndodhjet e tre automjeteve të vjedhura, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Policia raporton se është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– A. G., 53 vjeç, banues në Ishëm, Durrës, pasi dyshohet se në lagjen nr. 15, Durrës, ka vjedhur automjetin tip “Benz”;
– R. H., 24 vjeç dhe P. M., 25 vjeç, pasi në një parkim në lagjen nr. 1, Durrës, këta shtetas, duke u prezantuar si punonjës parkimi, dyshohen se i kanë vjedhur automjetin një shtetasi dhe janë larguar;
– E. Gj., 22 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës, pasi dyshohet se ka vjedhur një automjet tip “Volkswagen”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Top Channel