Një ngjarje kriminale është parandaluar në Kurbin, ku një 53-vjeçar po planifikonte të vriste kushëririn e tij.
53-vjeçari Luan Farruku qarkullonte me motor pa targa, i armatosur me pistoletë dhe municion luftarak, ishte në kërkim të të kushëririt të tij, të cilin e kishte kërcënuar për vrasje.
Në operacionin policor të koduar “Cousin”, u sekuestruan një pistoletë, një thikë, motomjeti pa targa dhe municionet që posedonte 53-vjeçari Luan Farruku.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, menjëherë pas kallëzimit të administruar nga shtetasi M. F., 50 vjeç, banues në fshatin Gjormë, Kurbin, se për shkak të një konflikti kushëriri i tij, shtetasi L. F., 53 vjeç, e kishte kanosur për jetën me armë zjarri dhe për këtë fakt kishte frikë të shkonte në banesë, organizuan menjëherë punën për parandalimin e ngjarjes, kapjen dhe vënien në pranga të autorit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Kanosja.”
Top Channel